Skandali me Vlora Hysenin, Kapri: I keni mbuluar me turp shqiptarët, është emergjencë kombëtare që Rama të japë dorëheqjen

Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri ka folur në Kuvend në lidhje me skandalin e SHISH, ku drejtoresha Vlora Hyseni, ka ndihmuar me informacione sekrete biznesmenin Ergys Agasi teksa ai ndodhej në arrati, për dosjen “AKSHI”.

Kapri tha se qeveria i ka mbuluar shqiptarët me turp pasi kreu i SHISH është vënë në shërbim të krimit, teksa ka bërë edhe një paralelizëm.

“Imagjinoni sikur kreu i CIA-s të chatonte lirshëm me El Chapon e t’i thoshte për ty i fik radarët. Ju i keni nxjerrë bojën Shqipërisë, nuk ka turp më të madh se ky”- u shpreh Kapri gjatë fjalës së tij.

Duke marrë shkas nga skandalet e fundit, Kapri tha se është emergjencë kombëtare që Rama të japë dorëheqjen.

“Nuk ka shqiptar që nuk bën pyetjen çfarë dreqin duhet të ndodhë më shumë që ky Kuvend të flasë për shkërmoqjen e çdo institucioni. Nuk keni legjitimitet të qeverisni por keni mbuluar me turp shqiptarët si askush më parë. Kreu i SHISH në shërbim të krimit. Imagjinoni sikur kreu i CIA-s të chatonte lirshëm me El Chapon e t’i thoshte për ty i fik radarët. Ju i keni nxjerrë bojën Shqipërisë, nuk ka turp më të madh se ky. Nuk ka më asnjë institucion të bëjë detyrës. Bashkia Tiranë është marrë peng nga burgu, Zv kryeministren e keni de facto zv.kryministre, emëron drejtorë dhe e mbroni me imunitet. Kjo është farsë. Në Kuvend duhet të flitej për shkërmoqjen e institucioneve. Si nuk keni turp, si do të dilni të takoni delegacionet e huaja? Kjo nuk mund të vijojë gjatë. Nuk është sakrilegj të vijë ai nga Amerika e të japë dorëheqjen. Është emergjencë kombëtare që Rama të japë dorëheqjen e të largohet me turp”, tha Kapri.