“Ushtar” Begaj bindet sërish, mbledh Këshillin e Sigurisë Kombëtare pas kthimit të Ramës në Shqipëri

I cilësuar si “noteri i qeverisë”, Presidenti Bajram Begaj nuk ka zhgënjyer edhe këtë herë.

Pas shpërthimit të skandalit të SHISH, ku ish-drejtuesja Vlora Hyseni u arrestua pasi i kishte dhënë informacione sekrete Ergys Agasit, edhe ky i vënë në pranga, prej ditësh ishte kërkuar mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Por Presidenti Begaj as që e mori mundimin jo vetëm të mblidhte këtë Këshill, por edhe të dilte me një qëndrim të institucionit që ai drejton, pasi skandali i SHISH nxori në pah se deri ku kanë arritur tentakulat e krimit të organizuar.

E duket se e kishte një arsye të fortë që e pengonte, pasi kryeministri Rama ishte në SHBA, dhe Begaj nuk mund të hedhë asnjë hap pa lejen e tij.

Burime për media bëjnë me dije se mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare do të bëhet javën e ardhshme, pas kthimit të Ramës në Shqipëri, me këtë të fundit që do të marrë sërish rolin e protagonistit, për të tentuar të mbulojë një nga skandalet më të mëdha që kanë ndodhur në vendin tonë, ku është rrezikuar siguria kombëtare.