Ditën e nesërme Gjykata e Posaçme do të marrë në pyetje ish-drejtoreshën e SHISH, Vlora Hysenin, e cila është nën hetim për 2 vepra penale: “Nxjerrja e sekretit shtetëror” dhe “përkrahja e autorit të krimit të organizuar”, për shkak të lidhjeve që ka pasur me biznesmenin Ergys Agasi. Ndaj Hysenit, është caktuar masa e sigurisë “arrest shtëpie”.
Po ashtu, GJKKO do të marrë nesër në pyetje edhe Fatjon Kalluçin e Embro Sulejmanin, ndaj të cilëve është caktuar masa e sigurisë ‘arrest me burg’.
Seanca për marrjen në pyetje të Fatjon Kalluçit dhe Embro Sulejmanit është caktuar në orën 09:00, ndërsa seanca për marrjen në pyetje të Vlora Hysenit është caktuar në orën 12:00.
Në të njëjtin procedim, u kryen kontrolle në banesën e ish-drejtorit të Policisë së Shtetit, Ilir Proda dhe të një kompleksi vilash në zonën e Shkozetit në Durrës.
Njoftimi i GJKKO:
Nisur nga interesi i lartë që ka në publik dhe në media procedimi penal nr. 20/1, i vitit 2025, në ngarkim të personave nën hetim: Vlora Hyseni, e dyshuar për kryerjen e veprave penale të parashikuara nga nenet 302/2 dhe 295/a/1, të Kodit Penal; Fatjon Kalluçi, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të parashikuar nga neni 295/a/1, i Kodit Penal dhe Embro Sulejmani, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të parashikuar nga neni 302/2, i Kodit Penal, ju njoftojmë se: Më datë 23.09.2026 Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë gjykatës kërkesat për marrjen në pyetje të personave nën hetim: Vlora Hyseni, ndaj së cilës është caktuar masa e sigurimit “arrest në shtëpi” dhe Fatjon Kalluçi dhe Embro Sulejmani, ndaj të cilëve është caktuar masa e sigurimit “arrest në burg”.
Seanca për marrjen në pyetje të personave nën hetim Fatjon Kalluçi dhe Embro Sulejmani është caktuar me datë 24.09.2026, ora 09:00, ndërsa për personin nën hetim Vlora Hyseni është caktuar me datë 24.09.2026, ora 12:00.