“Bela me Taon shoku”- Mesazhet me Ergys Agasin zbulojnë aleancat në PS, Vlora Hyseni i raportonte edhe për takimet me Ramën

Detaje të reja janë mësuar nga dosja e SPAK, lidhur me hetimet ndaj ish-drejtoreshës së Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH) dhe lidhjet e saj me biznesmenin Ergys Agasi, i arrestuar për dosjen e “AKSHI-t”.

Mësohet se Hyseni dhe Agasi kanë komunikime të shpeshta mes tyre dhe në një pjesë të bisedave që përmban dosja e SPAK, Vlora Hyseni e informon biznesmenin se Taulant Balla do të zgjidhej kryetar Kuvendi.

“Taulant Balla kryetar kuvendi… Kështu janë infot… Bela me Taon shoku”, është mesazhi që Vlora Hyseni i dërgon Ergys Agasit, duke e njoftuar për një lëvizje të pritshme brenda radhëve të Partisë Socialiste.

Në dosjen e SPAK, “Bela” identifikohet si Belinda Balluku, ndërsa “Tao” si Taulant Balla.

Në dosjen hetimore, veçohet edhe një mesazh i datës 19 gusht 2026, ku Hyseni i shkruan Agasit: “Skënderi më thirri me u taku të hënën”.

Në dosje, personi me emrin Skënderi identifikohet si Skënder Hita, Drejtor i Përgjithshëm i Policisë.

Por jo vetëm kaq. Mesazhet tregojnë gjithashtu se Hyseni e informonte Agasin për takimet e saj me zyrtarë të lartë. Në një komunikim të datës 24 gusht 2026 ajo shkruante: “Nesër duhet ta takoj KM në 8:30”.

Ndërkohë ditën e nesërme Gjykata e Posaçme do të marrë në pyetje ish-drejtoreshën e SHISH, Vlora Hysenin, e cila është nën hetim për 2 vepra penale: “Nxjerrja e sekretit shtetëror” dhe “përkrahja e autorit të krimit të organizuar”.

Ndaj Hysenit, është caktuar masa e sigurisë “arrest shtëpie”.