Avokatët kanë vendosur që të përshkallëzojnë bojkotin në Gjykatën e Posaçme, pas rregullores së re të kësaj të fundit.
Mësohet se avokatët kanë vendosur që bojkoti të shtrihet tashmë edhe te seancat për masat e sigurisë.
Vendimi ka ardhur pas mbledhjes së Dhomës së Avokatisë, këtë të mërkurë dhe do të nis që prej të hënës së ardhme.
Më datë 8 shtator, Dhoma Kombëtare e Avokatisë vendosi bojkotimin e të gjitha seancave gjyqësore, përveç atyre për masat e sigurisë, në shenjë proteste ndaj rregullores së re të Gjykatës së Posaçme (GJKKO) që u ndalon avokatëve përdorimin e telefonave celularë brenda ambienteve gjyqësore.
Kujtojmë se Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka miratuar një rregullore të re, e cila përcakton një sërë rregullash për hyrjen në godinë, ndjekjen e seancave gjyqësore dhe aktivitetin e medias.
Kjo praktikë është kundërshtuar nga palët e prekura nga këto masa kufizuese, ndaj kanë kërkuar rishikimin e saj, pasi e cilësojnë si pengim të punës së tyre.