“Na kanë bërë shumë gjëra o shpirt”, mesazhet e Vlora Hysenit me Ergys Agasin, si ish-shefja e SHISH e njoftonte për takimet me Ramën

Osh-shefja e SHISH, Vlora Hyseni, ka patur komunikime të vazhdueshme me Ergys Agasin, teksa SPAK dyshon se mes tyre ka patur edhe lidhje personale.

Nga përgjimet dhe mesazhet e shkëmbyera mes tyre, SPAK ka zbuluar se si ajo e ndihmonte Ergys Agasin me informacione sekrete, teksa në komunikime i drejtohej edhe me fjalët “zemër” dhe “shpirt”.

Në një prej tyre, Vlora Hyseni i thoshte se duhej të përqëndroheshin te halli i Agasit, ose përndryshe të gjithë do përfundonin keq.

“Zemër, thjesht duhet të koncentrohemi te halli jot. Të gjithë ne. Do përfundojmë keq, shpirt”, thuhej në mesazhin e saj.

Ndërsa në një tjetër mesazh përpara arrestimit, ajo i shkruante Ergys Agasit: ““Na kanë bërë shumë gjëra o shpirt…do ia hedhim…problemi është koha.”

Ndërkohë, Vlora Hyseni e njoftonte Agasin edhe për takimet me Ramën dhe me drejtorin e Policisë, si dhe i jepte informacione për emërimet e mundshme politike.

Në makinën e Ergys Agasit, SPAK gjatë kontrollit ka gjetur 9 faqe “word” me dokumente sekrete të SHISH. Vetë Agasi ka pranuar se dokumentet i përkisnin atij dhe se i kishte lënë aty me qëllim që t’i gjente SPAK.