Kryeministri Edi Rama ka firmosur urdhrin për delegimin e kompetencave të drejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit te drejtori i Departamentit Operativ, Elvis Lila, një ditë pas shkarkimit të Vlora Hysenit, pas arrestit nga SPAK.
Burime për mediat bëjnë me dije se delegimi hyn në fuqi menjëherë dhe do të zgjasë deri në emërimin e drejtorit të ri të SHISH.
Nga Nju Jorku, ku ndodhej në Asamblenë e OKB-së, kryeministri Edi Rama njoftoi shkarkimin e Hysenit, e cila tashmë do të duhet të përballet me drejtësinë për hetimet që SPAK ka nisur ndaj saj, për dy vepra penale: “Nxjerrja e sekretit shtetëror” dhe “përkrahja e autorit të krimit të organizuar”.
Sipas dosjes së SPAK, Hyseni ka patur komunikime të vazhdueshme me biznesmenin Ergys Agasin, teksa SPAK dyshon se mes tyre ka patur edhe lidhje personale.
Nga përgjimet dhe mesazhet e shkëmbyera mes tyre, SPAK ka zbuluar se si ajo e ndihmonte Ergys Agasin me informacione sekrete, teksa në komunikime i drejtohej edhe me fjalët “zemër” dhe “shpirt”.
Vlora Hyseni u emërua në krye të SHISH në prill të 2023, teksa u kundërshtua fort nga opozita.