Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë ka shpallur të zhdukur Elvis Troqen, i cili rezulton i zhdukur prej rreth tetë vitesh.
Vendimi i gjykatës është marrë më 15 qershor 2026, ndërsa e ëma, Marsela Troqe, është caktuar si kujdestare për administrimin e pasurive të tij.
Troqe humbi kontaktet me familjarët mbrëmjen e 17 korrikut 2018. Në atë kohë, 24-vjeçari sapo ishte kthyer nga Italia pasi kishte përfunduar një dënim për trafikim të lëndëve narkotike.
Mbrëmjen e 17 korrikut, rreth orës 18:00, Troqe doli nga banesa për t’u takuar me një mik në bar-kafe “Havana”. Pasi porositi një kafe dhe ujë, qëndroi vetëm pak minuta dhe i tha mikut se do të dilte për të takuar një person dhe do të kthehej shumë shpejt.
Por kjo ishte hera e fundit që familjarët dhe miqtë e tij patën kontakt me të.
Sipas pamjeve filmike të publikuara në atë kohë, jashtë lokalit e priste një automjet tip “Mercedes-Benz” me ngjyrë gri. Troqe u pa duke përshëndetur drejtuesin dhe më pas hipi në automjet. Raportimet e kohës flisnin për dy persona në makinë. Një tjetër automjet dyshohej se kishte monitoruar lëvizjet e tij përpara momentit kur u mor nga “Mercedesi”.
Automjeti u largua në drejtim të Lungomares dhe më pas, sipas rindërtimit të publikuar për ngjarjen, lëvizjet e tij u ndoqën deri pranë zonës së kompleksit “Oslo”, ku humbën gjurmët. Që prej atij momenti, Elvis Troqe nuk u kthye më në lokal dhe as në banesën e tij.