Zjarri masiv në Himarë/ Digjen disa banesa, 36 persona të evakuuar! Banorët: Ikëm nga shtëpitë, turistët morën valixhet

Banorët e Himarës kanë përjetuar momente të vështira per shkak të zjarrit, që dogji 7 banesa.

Për shkak të flakëve masive, që dolën jashtë kontrollit, Bashkia Himarë urdhëroi evakuimin e disa banorëve dhe turistëve, ndërsa zjarri u vu nën kontroll rreth orës 02:00 të mëngjesit të së shtunës.

Banorët tregojnë se kaluan momente të vështira, ndërsa flakët iu afruan shtëpive dhe turistët u larguan me valixhe drejt zonave më të sigurta.

“Të gjithë turistët u evakuuan për sigurinë e tyre. Kishim 6 dhoma me të huaj. Kemi komunikuar dhe na kanë pyetur kur mund të kthehen dhe nëse është e sigurt”, thotë Genta Ramaj.

“Erdhi zjarri nga lart, mezi kemi ikur me makinë. Mezi kemi shpëtuar. Janë djegur komplet ullinjtë. Hapëm çezmat dhe vaditëm gjithçka, pastaj morëm makinat dhe ikëm. Turistët i pamë të gjithë të largoheshin me valixhe”, thotë një banore tjeter.

Zjarri i madh ka shkaktuar dëme të konsiderueshme dhe një situatë të vështirë për banorët e Himarës

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, bëri të ditur se 171 efektivë të Forcave të Armatosura u angazhuan gjatë natës për përballimin e zjarrit në Himarë. 

“Gjatë natës së kaluar Forcat e Armatosura vijuan angazhimin në terren për menaxhimin e situatës së krijuar nga zjarri. 171 efektivë, 10 mjete në terren, 1 mjet zjarrfikës dhe 1 ambulancë nga Forcat e Armatosura ishin në gatishmëri dhe pranë komunitetit, në përballimin e situatës dhe mbrojtjen e jetës dhe pronës. Mirënjohje dhe respekt për secilin prej tyre”, shkruan Nufi.

Sot situata është përmirësuar, zjarri është vënë nën kontroll dhe po punohet për shuarjen e plotë të vatrave. Në terren vijojnë të jenë forcat e ushtrisë, ndërsa në operacion është angazhuar edhe një helikopter