Është zbardhur dëshmia e kamerierit 18-vjeçar, i cili u dhunua nga pronarët e një hoteli ku punonte në zonën e Malit të Robit.
I riu ka treguar momentet e dhunës pasi u ka komunikuar pronarëve vendimin për tu larguar nga puna, duke kërkuar pagën për ditët që kishte punuar.
18-vjeçari ka thënë para grupit hetimor se ata nuk e kanë pranuar largimin e tij, fillimisht duke e sharë dhe më pas e kanë dhunuar.
Madje, siç tregon i riu, e kanë kërcënuar edhe se do e vrisnin.
“Më datë 10.07.2026 kam filluar punë si banakier në hotelin, në zonën e Malit të Robit. Për fillimin e punës kam biseduar me Florian dhe Arbër Habilaj. Më datë 27.08.2026 u kam kërkuar pagën, pasi kisha vendosur të largohesha nga puna dhe të punoja diku tjetër.
Në momentin që i kam thënë këtë, të pranishëm kanë qenë Florian dhe Arbër Habilaj, Enold Dragoti dhe Mariglen Mosha. Ata nuk e kanë pranuar largimin tim nga puna dhe fillimisht më kanë sharë.
Floriani më ka goditur i pari me grusht, ndërsa Arbëri më ka goditur me një tavëll qelqi në kokë dhe në ftyrë. Jam goditur edhe nga Enold Dragoti, ndërsa Mariglen Mosha më ka mbajtur dhe më ka penguar të largohesha. Ata më kishin bllokuar rrugën dhe vazhdonin të më godisnin.
Gjatë kohës që më godisnin, më kanë kërcënuar vazhdimisht se do të më vrisnin. Duke u ndjerë në rrezik dhe për t’u mbrojtur, kam marrë një gotë qelqi dhe kam goditur Florianin në kokë. Kam goditur edhe me grushte, me qëllim që të largohesha prej tyre.
Pas kësaj kam arritur të largohem me vrap, por jam ndjekur nga të katër personat, të cilët më kanë bllokuar përsëri rrugën dhe më kanë goditur sërish”, ka treguar ai.