Ulja e çmimeve për 1600 produkte në Greqi u mundësua pas marrëveshjes së supermarketeve me qeverinë

Më shumë se 1,600 produkte bazë konsumi po shiten nga e hëna me çmime më të ulëta në Greqi, në kuadër të një marrëveshjeje mes qeverisë, industrisë, furnitorëve dhe rrjeteve të supermarketeve, që synon të lehtësojë presionin e kostos së jetesës mbi familjet.

Në nisje të nismës ishin përfshirë më shumë se 1,660 kode produktesh, ndërsa lista vijonte të zgjerohej me pjesëmarrjen e kompanive të tjera.

Ulja mesatare e çmimeve llogaritet në rreth 7%, ndërsa për pjesën më të madhe të produkteve reduktimet variojnë nga 5% në 7%. Për produkte të veçanta, megjithatë, uljet janë dukshëm më të larta dhe arrijnë deri në 20%-30%, sipas ERT News.

Nisma nuk konsiston në përcaktimin e drejtpërdrejtë të çmimeve nga qeveria. Pjesëmarrja e kompanive është vullnetare, ndërsa prodhuesit dhe furnitorët kanë paraqitur propozime konkrete për uljen e çmimeve sipas çdo kodi produkti.

Kushti i vendosur në fillim të procesit ishte që ulja të ishte të paktën 5% dhe të zgjaste nga dy deri në katër muaj, sipas News.gr.

Kompanitë nisën të paraqisnin propozimet detyruese sipas kodeve të produkteve, ose barcode-ve, që nga fundi i korrikut.

Propozimet u shqyrtuan nga Autoriteti i Pavarur për Mbikëqyrjen e Tregut dhe Mbrojtjen e Konsumatorit, ndërsa më pas rrjetet e supermarketeve u informuan për produktet që do të përfshiheshin në skemë, sipas agjencisë greke të lajmeve ANA-MPA.

Sipas kuadrit të nismës, synimi është që reduktimet të aplikohen mbi çmimin normal të raftit dhe jo të paraqiten thjesht si oferta të përkohshme, kupona uljeje apo promocione tregtare.

Marrëveshja u konkretizua pas takimeve të zhvilluara mes Ministrisë së Zhvillimit, përfaqësuesve të industrisë ushqimore, furnitorëve, kompanive shumëkombëshe dhe zinxhirëve të supermarketeve, sipas Antenna.

Lista përfshin ushqime bazë dhe produkte të përdorimit të përditshëm, nga mishi, qumështi, kosi, djathi, vezët, buka, mielli, makaronat, orizi dhe vaji, deri te detergjentët, produktet e higjienës personale, pelenat dhe artikujt shkollorë.

Në total, marrëveshja ishte projektuar të përfshinte rreth 30 kategori produktesh, 19 prej të cilave ushqime dhe pije, sipas eKathimerini.

Të dhënat e publikuara në prag të nisjes së programit tregojnë se rreth 900 kode të produkteve të markave të njohura përfshihen me një ulje mesatare afërsisht 7%, ndërsa për produkte të veçanta zbritja arrin deri në 30%.

Në artikujt shkollorë janë përfshirë mbi 450 kode, me një ulje mesatare rreth 10%, ndërsa rreth 250 produkte të markave private të supermarketeve kanë një ulje mesatare rreth 7%, sipas To Vima.

Në kategorinë e mishit janë përfshirë rreth 60 kode, me një reduktim mesatar prej 7.2%. Në listë është përfshirë edhe mishi i viçit, çmimi i të cilit kishte shënuar rritje të fortë në muajt e mëparshëm, sipas CNN Greece.

Kryeministri Kyriakos Mitsotakis tha se uljet prej 5%-7% do të zbatohen përgjithësisht për një periudhë prej dy deri në katër muaj. “Është e qartë se kjo nuk është zgjidhja për gjithçka që aktualisht po ushtron presion mbi buxhetin e një familjeje”, tha Mitsotakis, duke e cilësuar masën si një lehtësim konkret, veçanërisht përpara fillimit të vitit të ri shkollor.

Më shumë se 90 kompani furnizuese dhe të tregtisë me shumicë, 12 zinxhirë supermarketesh dhe tre zinxhirë të lodrave dhe artikujve shkollorë i janë bashkuar nismës, sipas eKathimerini.

Produktet me çmime të reduktuara do të kenë shenjë të posaçme në raft, në mënyrë që konsumatorët t’i identifikojnë më lehtë. Paralelisht, platforma shtetërore “PosoKanei” mundëson kontrollin e produkteve të përfshira, përqindjen e uljes së çmimit, periudhën gjatë së cilës ajo është në fuqi dhe pikat ku produkti ofrohet.

Platforma mundëson gjithashtu krahasimin e çmimeve mes supermarketeve dhe ndjekjen e historikut të tyre.

Nisma vjen në një kohë kur kostoja e jetesës mbetet një nga shqetësimet kryesore të familjeve greke. Inflacioni, çmimet e ushqimeve dhe produkteve bazë, por edhe qiratë dhe shërbimet, kanë vijuar të ushtrojnë presion mbi buxhetet familjare, duke e kthyer kontrollin e çmimeve në një nga çështjet kryesore të politikës ekonomike të qeverisë. Monitor