Ish-efektivi i Policisë së Shtetit, Uljan Shpataraku, është transferuar në burgun e Peqinit, pasi GJKKO vendosi ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg”.
Shpataraku u arrestua më 26 gusht në zonën e Plepave në Durrës, teksa ndodhej në të njëjtin automjet me biznesmenin Ergys Agasi, i cili ishte në kërkim nga drejtësia.
Automjeti ishte pikasur fillimisht në Elbasan dhe më pas ishte ndjekur nga forcat e Policisë për rreth 40 kilometra. Lëvizja vijoi në drejtim të Peqinit, Rrogozhinës dhe më pas Durrësit, ku makina u ndalua në zonën e Plepave.
Në momentin e ndërhyrjes, Shpataraku dyshohet se ishte në drejtimin e automjetit, ndërsa Agasi ndodhej në sediljen e pasagjerit.
SPAK ka ngritur ndaj ish-efektivit dyshimin për veprën penale të “përkrahjes së autorit të krimit”. Sipas Prokurorisë së Posaçme, Shpataraku shoqëronte Agasin në momentin kur ky i fundit ishte person i shpallur në kërkim.
Më 29 gusht, GJKKO vendosi që ish-zyrtari i Policisë të qëndrojë në paraburgim, ndërsa hetimet për rolin e tij në ngjarje vijojnë.
Shpataraku është ish-punonjës i Policisë së Shtetit dhe është përshkruar më herët si person i afërt me ish-drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Ilir Proda.
Edhe Ergys Agasi është lënë në masën “arrest me burg”. Ndaj biznesmenit, SPAK ka ngritur disa akuza, përfshirë konkurrencën e paligjshme përmes dhunës, heqjen e paligjshme të lirisë, shkeljen e barazisë në tendera, pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal, pastrimin e parave dhe korrupsionin aktiv.