Bekim Sejdiu është kandidati konsensual për Presidentin e Kosovës, pas një marrëveshjeje të minutës së fundit të arritur mes Albin Kurtit dhe Lumir Abdixhikut.
Marrëveshja u njoftua të hënën e 31 gushtit nga kreu i LDK-së, Lumir Abidxhiku, pas takimit me kreun e LVV-së, Albin Kurti.
“Nga të gjithë emrat që janë propozuar, jemi dakorduar për një emër – dhe, ai është prof. dr. Bekim Sejdiu”, tha Abdixhiku.
Në fjalën e tij para mediave, Sejdiu tha se e ka pranuar propozimin që të jetë kandidat për president, duke pasur parasysh kontekstin politik në të cilin ndodhet Kosova.
“Kjo mua më bën të ndihem i nderuar, besimi që më kanë dhënë përfaqësuesit e dy partive. Unë e kam pranuar këtë propozim, edhe pse ambicia ime ka qenë gjithmonë në fusha akademike. Duke qenë i vetdijëshëm edhe me barrën edhe përgjegjësinë që e sjell posti i presidentit, por edhe në kontekstin aktual politik, jam në shërbim të Kosovës, qytetarëve dhe shtetit tonë,.. që të shërbej me devotshmëri siç kam bërë gjithmonë”, u shpreh ai për mediat.
Bekim Sejdiu është profesor i së drejtës në Universitetin e Prishtinës dhe ish-gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
Ai ka shërbyer edhe në diplomacinë kosovare, përfshirë si ambasador i Kosovës në Turqi dhe konsull i përgjithshëm në Nju Jork.