Pezullohet përkohësisht trafiku ajror në Shqipëri, dyshohet defekt në radarët e Albcontrol

Trafiku ajror në hapësirën ajrore shqiptare është pezulluar përkohësisht, për shkak të një problemi teknik të dyshuar në sistemin e radarëve të Albcontrol.

Për disa minuta, asnjë avion nuk është lejuar të ngrihet apo të ulet, ndërsa është ndërprerë edhe qarkullimi i mjeteve ajrore në hapësirën ajrore të vendit. Masa është marrë për arsye sigurie, deri në rikthimin e plotë të sistemeve të monitorimit dhe kontrollit të trafikut ajror.

Problemi teknik mund të shkaktojë vonesa në nisjet dhe mbërritjet në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës (Rinas). Gjithashtu, avionët që ndodhen në fluturim mund të përballen me pritje, ndryshime të përkohshme të orareve apo, në varësi të kohëzgjatjes së ndërprerjes, edhe me devijime të itinerareve.

Burime bëjnë me dije se ekipet teknike po punojnë për identifikimin dhe zgjidhjen e problemit, me qëllim rikthimin sa më shpejt të trafikut ajror në normalitet.

Pezullimi i përkohshëm lidhet me nevojën për të garantuar sigurinë e navigimit dhe ndarjes së avionëve, derisa sistemet e monitorimit të rikthehen në funksion të plotë.

Pritet që në vijim të ketë më shumë informacion mbi situatën dhe kohën e nevojshme për normalizimin e trafikut ajror.