Zjarr i madh në Librazhd, flakët i afrohen banesave dhe rrugës kombëtare

Një situatë kritike është krijuar pasditen e sotme në zonën mes fshatrave Xhyrë dhe Vehçan, në Njësinë Administrative Hotolisht, Bashkia Librazhd, ku një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë një masiv pyjor me akacie dhe shkurre.

Flakët kanë nisur që prej mesditës dhe të favorizuara nga terreni i vështirë dhe bimësia e thatë, janë përhapur me shpejtësi në disa drejtime, duke përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme.

Situata është përkeqësuar veçanërisht pas orës 17:00, kur zjarri është afruar pranë banesave në zonën e ish-stacionit hekurudhor të Xhyrës, si edhe pranë aksit kombëtar Librazhd-Prrenjas.

Për shkak të përmasave të vatrës dhe rrezikut që paraqitet për zonat e banuara, në terren janë angazhuar dhjetëra mjete zjarrfikëse dhe forca të MZSH-së nga Librazhdi, Elbasani, Gramshi dhe Cërriku.

Forcat zjarrfikëse po punojnë intensivisht për të frenuar përhapjen e flakëve, duke u fokusuar në mbrojtjen e banesave dhe objekteve që ndodhen në afërsi të zonës së përfshirë nga zjarri.