Nepali në garë me kohën për të shpëtuar 100 punëtorë të bllokuar në tunel, ndërsa Kina pezullon operacionin në Tibet

Më shumë se 100 persona vijojnë të jenë të bllokuar në një tunel hidrocentrali në Nepal, ndërsa ekipet e shpëtimit në anën tjetër të kufirit, në Tibet, janë detyruar të tërhiqen për shkak të frikës për përmbytje të reja.

Helikopterët e ushtrisë nepaleze po punonin të premten për të shpëtuar më shumë se 100 persona të bllokuar brenda një tuneli hidrocentrali, pasi përmbytjet katastrofike goditën rajonin verior të vendit, pranë kufirit.

Sipas zyrës së kryeministrit, ushtria ka shpëtuar tashmë rreth 350 punëtorë dhe banorë lokalë nga tuneli i projektit hidroenergjetik Upper Trishuli, në Rasuwa.

Zëdhënësi i ushtrisë nepaleze, Raja Ram Basnet, tha se dy helikopterë ishin dërguar në zonë, por ekipet e shpëtimit po përballeshin me kushte të vështira, përfshirë vështirësi në gjetjen e hyrjeve të tunelit.

“Fokusi ynë është kërkimi dhe shpëtimi i njerëzve”, tha Basnet për AFP, duke shtuar se po shpërndaheshin gjithashtu ndihma për të mbijetuarit.

Operacioni i shpëtimit nisi dy ditë pasi shembja e një akullnaje shkaktoi një rrjedhë masive akulli, shkëmbinjsh dhe mbetjesh përgjatë luginave të lumenjve pranë kufirit të Nepalit me rajonin e Tibetit në Kinë.

Sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së, rrjedha e mbetjeve dhe përmbytjet përshkuan rreth 100 kilometra përgjatë lumenjve Trishuli dhe Bhote Koshi, duke shkatërruar ndërtesa dhe infrastrukturë dhe duke ndërprerë një autostradë të rëndësishme që lidh Nepalin me Kinën.

Përmasat e shkatërrimit vijonin të bëheshin të qarta të premten, ndërsa rrugë, ura dhe disa projekte hidroenergjetike janë dëmtuar ose shkatërruar.

Të mbijetuarit përshkruan se si ujërat e përmbytjes përfshinë me shpejtësi të jashtëzakonshme zonat ku po kryheshin punimet.

“Ka pasur të paktën 400 punëtorë në këtë kantier”, tha për AFP Dev Shrestha, i cili u evakuua me helikopter nga një tjetër projekt hidroenergjetik. “Më shumë njerëz vdiqën sesa u shpëtuan.”

Punëtori Buddha Tamang tha se mbijetoi sepse ndodhej brenda një tuneli kur goditi përmbytja.

“Oficerët e lartë që punonin në anën tjetër u morën të gjithë nga rrjedha e ujit”, tha ai.

Shkencëtarët kanë paralajmëruar se rritja e temperaturave po shton rreziqet që paraqesin akullnajat e paqëndrueshme në të gjithë Himalajet.

Kina pezullon operacionet e shpëtimit në Tibet për shkak të rrezikut nga përmbytjet

Në anën tjetër të kufirit, në Tibet, autoritetet kineze pezulluan të premten operacionet e shpëtimit për shkak të frikës nga përmbytje të tjera. Qindra persona vijojnë të jenë të zhdukur pas katastrofës së së mërkurës.

Televizioni shtetëror CCTV raportoi se një liqen i formuar nga grumbuj të mëdhenj balte dhe mbetjesh pranë qendrës kufitare të Gyirong kishte filluar të derdhej drejt zonave ku po operonin ekipet e shpëtimit.

Ekipet u urdhëruan të qëndronin në gatishmëri, ndërsa personelit që ndodhej tashmë në zonën e prekur iu kërkua të tërhiqej një kilometër më larg.

Reshjet e vazhdueshme pritet të rrisin nivelin e ujit të liqenit gjatë ditëve në vijim, duke shtuar rrezikun e çarjes së barrierës natyrore dhe përmbytjeve të tjera në zonat më poshtë të rrjedhës.

Raportohet për çarje të një dige në Tibet

Nepali lëshoi një paralajmërim për banorët dhe ekipet e shpëtimit që të zhvendosen në zona më të larta, pasi u raportua se një digë në rrjedhën e sipërme, në Tibet, ishte çarë.

“Është marrë informacion se një digë ujore ka shpërthyer sërish në anën tibetiane”, njoftoi policia në një deklaratë.

“Të gjithë personeli i sigurisë, ekipet e shpëtimit dhe ndihmës, si dhe qytetarët e angazhuar në operacionet e shpëtimit dhe lehtësimit, u kërkohet të qëndrojnë në gatishmëri dhe të zhvendosen menjëherë në një vend të sigurt”, thuhej në deklaratë.

Sipas CCTV, deri të premten 499 shtetas kinezë dhe 555 shtetas të huaj ishin evakuuar nga zona e katastrofës.