Gjykata e Posaçme ka lënë në burg biznesmenin Ergys Agasi, lidhur me dosjen AKSHI. Në sallën e gjyqit, biznesmeni ka deklaruar se nuk ka qenë asnjëherë pjesëmarrës në tenderë apo pjesë e grupeve kriminale.
“Nuk kam qenë asnjëherë pjesëmarrës në tenderë, nuk kam pasur asnjë përfitim financiar nëpërmjet tenderimit dhe aq më pak të kem qenë pjesë e grupeve kriminale”– ka deklaruar Agasi.
Avokati i Agasit, Maks Haxhia tha se Prokuroria e Posaçme ka ardhur me një akuzë të re, atë të korrupsionit pasiv, ndërsa bëri me dije se vendimi do të ankimohet.
Agasi u arrestua dy ditë më parë në zonën e Plepave në Durrës, pas disa muajsh arrati.
Agasi ishte lokalizuar nga Policia që në Elbasan dhe është ndjekur deri në Durrës, ku u bë edhe arrestimi i tij.
Në momentin e ndërhyrjes së Policisë, në automjetin me të ndodhej edhe Ulian Shpataraku, i shpallur gjithashtu në kërkim pasi dyshohet se, pas një debati në një lokal në Dhërmi, kërcënoi me armë kamarierin dhe administratorin.
Agasi akuzohet nga SPAK për disa vepra penale: “Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, të kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë.