Trump paralajmëron Iranin: SHBA-ja ka kontrollin e Ngushticës së Hormuzit

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se SHBA-ja ka “kontrollin absolut” mbi Ngushticën e Hormuzit, ndërsa Irani dhe Omani vijojnë negociatat për rikthimin e lundrimit në këtë rrugë strategjike detare.

Trump paralajmëroi se Uashingtoni do të përgjigjej ashpër nëse Irani do të përpiqej të sfidonte SHBA-në.

“Tani për tani, ne kemi kontroll të plotë mbi Ngushticën e Hormuzit. Ata nuk e kanë kontrollin. Ne e zotërojmë atë”, u tha presidenti amerikan gazetarëve.

Ai shtoi se SHBA-ja do të ndërmerrte masa të ashpra nëse Irani do të përpiqej të sfidonte Uashingtonin.

“Ne do ta shkatërrojmë atë. Unë nuk u besoj atyre”, deklaroi Trump.

Ndërkohë, trafiku detar në ngushticë ka rënë ndjeshëm. Sipas të dhënave të kompanisë së analizës detare Kpler, të martën u regjistruan vetëm tetë kalime anijesh, krahasuar me një mesatare prej rreth 130-140 anijesh në ditë përpara mbylljes së kësaj rruge detare.

Në anën tjetër, Pakistani deklaron se SHBA-ja dhe Irani mund të jenë pranë arritjes së një marrëveshjeje. Negociatat e ndërmjetësuara nga Omani për rikthimin e pjesshëm të trafikut detar raportohet se kanë hyrë në një fazë të avancuar.