Shqipëria mbetet me pagën minimale më të ulët në Europë, edhe pas rritjes në 50 mijë lekë

Shqipëria vijon të mbetet vendi me pagën minimale më të ulët në Europë, edhe pas hyrjes në fuqi të pagës minimale prej 50 mijë lekësh bruto. Sipas të dhënave më të fundit të Eurostat-it, paga minimale në Shqipëri është 517 euro në muaj, niveli më i ulët mes vendeve europiane që kanë një pagë minimale kombëtare.

Statistikat e Eurostat-it tregojnë se, më 1 janar 2026, paga minimale në vendet e Bashkimit Europian varionte nga 620 euro në Bullgari deri në 2 704 euro në Luksemburg. Edhe pse Bullgaria mbetet vendi me pagën minimale më të ulët në BE, niveli i saj është tashmë 103 euro më i lartë se ai i Shqipërisë.

Në rajon, Shqipëria renditet sërish e fundit. Turqia ka një pagë minimale prej 654 eurosh, Maqedonia e Veriut 586 eurosh, Serbia 744 eurosh, ndërsa Mali i Zi 670 eurosh. Kjo do të thotë se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor që raportohen nga Eurostat-i kanë tashmë paga minimale më të larta se Shqipëria.

Rritja e pagës minimale në 50 mijë lekë, nga 1 janari 2026, e çoi vlerën e saj në 517 euro, falë edhe kursit të këmbimit të lekut me euron. Por kjo nuk e ka ndryshuar pozicionin e Shqipërisë në renditjen europiane, pasi vendet e rajonit i kanë rritur me ritme më të shpejta pagat minimale gjatë viteve të fundit.

Sipas Eurostat-it, krahasimi i pagave minimale në euro nuk e pasqyron plotësisht standardin e jetesës, pasi ai ndikohet edhe nga ndryshimet në koston e jetesës dhe fuqinë blerëse. Megjithatë, edhe në këtë tregues, Shqipëria mbetet ndër vendet me nivelin më të ulët të të ardhurave në kontinent.

Edhe pse paga minimale në vend është rritur ndër vite, zhvlerësimi i euros kundrejt lekut ka bërë që vlera e saj në monedhën europiane të mos përmirësohet ndjeshëm. Për më tepër, ekspertët theksojnë se krahasimi nominal nuk e pasqyron plotësisht standardin e jetesës, pasi fuqia blerëse e pagës minimale në Shqipëri mbetet ndër më të ulëtat në kontinent. Monitor