Balla flet për protestuesit: I kemi identifikuar, janë terroristë të lidhur me Gardën Revolucionare të Iranit

Kreu i grupit të PS, Taulant Balla deklaroi sot në Kuvend se terroristë të lidhur me Gardën Revolucionare të Iranit janë pas protestave në Tiranë.

Gjatë seancës plenare, Balla tha se 4 punonjës policie mbeten te lënduar pas tensioneve në protestën para Kuvendit ndërsa shtoi se persona të identifikuar prej tyre me lidhje të qartë me Gardën Revolucionare të Iranit, janë organizatorët kryesorë të akteve të dhunshme.

“Shprehim solidaritetin dhe lutjet që 4 punonjës të policisë së plagosur nga dhuna barbare nga disa elementë terroristë të cilët në mënyrë të përsëritur kanë goditur punonjës të policisë së shtetit, të cilët janë aktualisht në QSUT. Uroj që shëndeti dhe jeta e tyre të mos rrezikohet. Është keqardhje që PD jo vetëm që nuk e dënon dhunën, por bie pre e një solidariteti të turpshëm me disa terroristë të cilët nuk kanë asgjë të përbashkët me protestën që nisi kundër dhunës. Persona të identifikuar prej nesh me lidhje të qartë me Gardën Revolucionare të Iranit, janë organizatorët kryesorë të akteve të dhunshme. Solidarizim i turpshëm i një partie të përdhunuar nga ajo protestë. Ne për asnjë moment nuk do të tolerojmë që të goditen punonjësit e policisë së shtetit, gjaku i policëve është gjaku i vetë shtetit, kush guxon të ngrejë dorë mbi policët, ka ngritur dorë kundër shtetit. Policia po bën punën e vet. Thirrja ime është për drejtësinë, edhe jetën e gjyqtarëve dhe prokurorëve e ruan policia. Nuk kam asnjë pritshmëri që kjo që ka mbetur nga PD të mos distancohet nga dhuna, ju mbeteni një grup i përdhunuar nga protesta dhe prandaj ju nuk distancoheni. Kuvendi duhet ta dënojë ashpër dhunën”, tha Balla.