A do të merret Rama nën hetim? Braho: Askush nuk është mbi SPAK, por duhen prova

Lajmi:

Debati mbi hetimet ndaj zyrtarëve të lartë u rikthye në Komisionin Parlamentar për Nismat Qytetare, ku kreu i SPAK, Klodian Braho, u përball me pyetjet e deputetit demokrat Gjin Gjoni lidhur me mundësinë e nisjes së një hetimi ndaj kryeministrit Edi Rama.

Gjoni ngriti shqetësime për atë që e cilësoi mungesë veprimi të Prokurorisë së Posaçme në disa çështje të bujshme, përfshirë inceneratorët, dosjen “Albanian Files” dhe pretendimet për lidhje me krimin e organizuar. Ai pyeti nëse SPAK ka nisur hetime për kryeministrin ose nëse Rama është marrë në pyetje, qoftë edhe si person që ka dijeni për këto çështje.

Deputeti kërkoi gjithashtu sqarime nëse janë verifikuar personat që, sipas tij, kanë financuar projekte kullash të përfshira në “Albanian Files”, si edhe mënyra se si janë kryer pagesat për projekte që ende nuk kanë marrë miratimin përfundimtar nga institucionet shqiptare.

Në përgjigjen e tij, Braho shmangu komentet mbi raste konkrete, duke theksuar se SPAK nuk mund të shprehet publikisht për hetime të caktuara.

“Çdo qytetar që disponon prova mund t’i paraqesë ato pranë SPAK dhe do të marrë përgjigje sipas procedurave ligjore. Askush nuk është imun ndaj hetimit nga SPAK, por çdo veprim bazohet në prova dhe në nevojën hetimore,” deklaroi ai.

Kreu i Prokurorisë së Posaçme foli edhe për fenomenin e pastrimit të parave, duke e cilësuar atë si një nga rreziqet më serioze me të cilat përballet vendi.

Sa i përket administrimit të pasurive të sekuestruara, pas pretendimeve të Gjonit se ato rikthehen në mënyrë të tërthortë te pronarët përmes blerjeve fiktive, Braho sqaroi se kompetenca e SPAK përfundon me vendosjen e masës së sekuestrimit.

Sipas tij, faza e ekzekutimit të vendimeve administrohet nga gjykatat dhe institucionet përgjegjëse, ndërsa SPAK ndërhyn vetëm nëse evidentohen elementë të rinj që ngrejnë dyshime për shkelje ligjore apo veprime të paligjshme nga personat e përfshirë ose zyrtarët përgjegjës.