Përplasje në aeroportin e Vlorës! Kamionët e ‘2A Group’ bllokojnë hyrjen për punonjësit e “Mabco”, Pacolli: SPAK të nis hetim të thellë

Vijojnë edhe këtë të martë tensionet në Aeroportin e Vlorës.

Në hyrjen kryesore të kantierit janë vendosur disa kamionë me logon e “2A Group”, duke bllokuar hyrjen e punonjësve dhe mjeteve të kompanisë “Mabco”, të Behgjet Pacollit

Sipas informacioneve paraprake, qëllimi ka qenë moslejimi i vijimit të punimeve nga grupet e kontraktuara prej MABCO-s.

Situata ka krijuar sërish tension mes palëve në konflikt, ndërsa në zonë janë angazhuar forca të policisë për të monitoruar zhvillimet dhe për të shmangur përshkallëzimin e situatës.

Ndërkohë Pacolli në një reagim thotë se grupet kriminale kanë bllokuar aksesin në aeroportin e Vlorës ku Mabco ka investuar mbi 310 milionë euro.

Ai i kërkon SPAK të filloj hetim të thellë, pasi sipas tij nuk është vetëm çështje konflikti.

Reagimi i Pacollit:

Grupet kriminale prapë kanë bllokuar aksesin në Aeroportin e Vlorës, ku Mabco ka investuar mbi 310 milionë euro!

APELOJME TE SPAK QË TË FILLON HERTIMIN E THELL.

nuk është qeshtje konflikti, ështe qështje më e thell!!!

A është KRIM bllokimi i një aktiviteti të ligjshëm me roje private, mjete të rënda dhe vetëgjyqësi?

Nëse po, pse nuk po vepron askush?

Nëse secili në këtë vend mund të marrë disa roje private, të bllokojë hyrje-daljet, të pengojë zbatimin e vendimeve gjyqësore dhe të imponojë vullnetin e tij me forcë, atëherë a jetojmë në Republikën e Shqipërisë apo në Republikën e Rojeve Private?

Çfarë roli kanë rojet private në këtë vend?

Si është e mundur që një kompani private të vendosë se kush hyn dhe kush nuk hyn në një kantier, pavarësisht vendimeve të Asamblesë së Ortakëve, pavarësisht vendimeve të Gjykatës së Lartë dhe pavarësisht kërkesave të institucioneve shtetërore?

Si është e mundur që një kompani sigurie private të bllokojë fizikisht hyrjen në një aset strategjik kombëtar dhe askush të mos mbajë përgjegjësi?

Nëse çdo kompani në Shqipëri mund të marrë disa roje private, të vendosë kamionë në hyrje dhe të shpallë veten mbi ligjin, atëherë:

• Për çfarë na duhen gjykatat?

• Për çfarë na duhen institucionet?

• Për çfarë na duhet shteti?

Sot nuk po diskutojmë më për një konflikt biznesi.

Sot po diskutojmë për ekzistencën e shtetit ligjor. Sot është vënë në pikëpyetje autoriteti i shtetit. Sot shtrohet pyetja themelore: a zbatohen vendimet e Gjykatës së Lartë në Republikën e Shqipërisë apo jo?

Sepse, nëse një vendim i formës së prerë i Gjykatës mund të bllokohet nga një grup njerëzish me kamionë dhe roje private, atëherë problemi nuk është më Aeroporti i Vlorës.

Problemi është vetë shteti ligjor.

Prej muajsh, Mabco po përballet me pengesa të vazhdueshme dhe të papranueshme. Prej javësh po shohim vandalizëm, bllokime, dëmtime të pronës dhe pengim të punimeve.

Sot po shohim moszbatim të hapur të ligjit para syve të të gjithëve, si dhe privim të së drejtës për veprim dhe lëvizje.

Ku janë institucionet që duhet t’u japin përgjigje qytetarëve?

Kjo nuk është më një çështje vetëm e Mabco-s apo e 2A-së.

Kjo është një çështje që prek çdo qytetar.

Kush i zbaton ligjet në këtë vend?

Ligjin për shoqëritë tregtare?

Vendimet e Gjykatës së Lartë?

Apo rojet private?