Të paktën 13 persona kanë humbur jetën dhe 66 të tjerë janë plagosur pas një shpërthimi të fuqishëm në impiantin më të madh të përpunimit të gazit natyror të lëngshëm (LNG) në Katar.
Sipas Ministrisë së Brendshme të Katarit, një “aksident teknik” ndodhi mbrëmjen e së dielës në zonën industriale Ras Laffan, duke shkaktuar një zjarr të madh që ndriçoi qiellin me ngjyrë portokalli dhe u ndje deri në qendër të Dohas, më shumë se 70 kilometra larg.
Ministri i Energjisë i Katarit, Saad Sherida al-Kaabi, deklaroi se shpërthimi nuk do të ndikojë në eksportet e vendit dhe theksoi se bëhet fjalë për një aksident, jo për një akt sabotimi apo sulm të qëllimshëm.
“Ky ishte një aksident dhe jo sabotim apo një veprim armiqësor,” u shpreh ai.
Shpërthimi ndodhi në objektin lokal të furnizimit me gaz Barzan, ku operacionet ishin rifilluar vetëm dy ditë më parë, pas një ndërprerjeje të gjatë për shkak të punimeve urgjente të mirëmbajtjes. Sipas ministrit, prodhimi në impiant ishte ndalur plotësisht që nga dhjetori i vitit 2025.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e ngjarjes, ndërsa al-Kaabi konfirmoi se të gjitha viktimat janë shtetas të Indisë dhe Pakistanit.
Ambasada e Indisë në Doha deklaroi se po bashkëpunon ngushtë me autoritetet vendase dhe do të ofrojë mbështetje për familjet e viktimave dhe të plagosurve.
“Shprehim ngushëllimet tona më të thella për familjet e atyre që humbën jetën në incidentin tragjik në Ras Laffan Industrial City,” thuhet në reagimin e ambasadës.
Kompania shtetërore QatarEnergy konfirmoi se shpërthimi ndodhi në orët e mbrëmjes të 21 qershorit dhe se ekipet e emergjencës ndërhynë menjëherë për të vënë nën kontroll flakët.
Porti Ras Laffan, i konsideruar si porti artificial më i madh në botë dhe qendra më e madhe globale e eksportit të LNG-së, kishte pësuar dëme të konsiderueshme edhe më herët gjatë këtij viti nga sulmet hakmarrëse iraniane në kulmin e konfliktit SHBA-Izrael-Iran.
Sipas QatarEnergy, dëmtimet dhe riparimet e nevojshme në impiant pritet të reduktojnë prodhimin me rreth 12.8 milionë tonë LNG në vit për një periudhë prej tre deri në pesë vitesh.
Katari kishte pezulluar më herët prodhimin për shkak të konfliktit rajonal, duke ndikuar në rreth një të pestën e furnizimit global me gaz natyror të lëngshëm, ndërsa dërgesat kishin nisur të rifillonin vetëm së fundmi.