Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj akuzave dhe pretendimeve që qarkullojnë, duke mohuar kategorikisht çdo lidhje me të ashtuquajturën çështje “Aruba”.
Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Rama deklaroi se nuk ka qenë kurrë në Aruba dhe se nuk ka pasur asnjë përfshirje në çështjet që lidhen me këtë pretendim, ndërsa akuzoi atë që e quajti “riciklim i algoritmit” për shndërrimin e pretendimeve në të vërteta të perceptuara.
“Fatos Lubonja kërkon llogari nga unë për Arubën. Në të gjithë historinë e njerëzimit, llogaria jepet në bazë të fakteve. Çfarë vlere ka që unë të them se nuk kam qenë kurrë në Aruba, nuk e di fare për çfarë bëhet fjalë dhe nuk kam dërguar kurrë njeri atje? Aruba është bërë e vërtetë sepse është ricikluar pafundësisht në fushën e algoritmit”, tha Rama.
Kreu i qeverisë u ndal edhe te akuzat që, sipas tij, janë përsëritur vazhdimisht ndaj figurës së tij, duke përmendur etiketimin si përdorues droge dhe pretendime të tjera që i konsideroi të pavërteta.
Sipas Ramës, në epokën e rrjeteve sociale dhe algoritmeve, përsëritja e vazhdueshme e një pretendimi mjafton që ai të perceptohet si fakt nga opinioni publik, pavarësisht mungesës së provave.
“Fjala ‘drogaxhi’ është një refren që më ndjek si e vërtetë. Janë bërë të vërteta edhe shumë pretendime të tjera, pavarësisht se çfarë them unë apo çfarë tregojnë dokumentet dhe vendimet gjyqësore. Algoritmi e ka bërë të vërtetë”, u shpreh ai.