Rama përjashton dorëheqjen: Qeveria nuk e dorëzon kurrë timonin te zhurma

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur kërkesave të vazhdueshme të protestuesve për dorëheqje, duke deklaruar se nuk ka menduar asnjëherë të largohet nga detyra për shkak të presionit të protestave.

Gjatë një fjalimi në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Rama bëri një krahasim me figurën e Odiseut në veprën e Homerit, duke e përdorur si metaforë për mënyrën se si duhet të veprojë një udhëheqje përballë tundimeve dhe presioneve.

“Më kanë shkruar shumë njerëz sikur kam dhënë përshtypjen se do të jap dorëheqjen. Nuk më ka shkuar kurrë në mendje një gjë e tillë”, tha Rama, teksa komentoi edhe protestën e zhvilluar pranë aeroportit.

Sipas tij, pjesëmarrja në protestë është tkurrur gradualisht, ndërsa ai kritikoi praninë e personave nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, të cilët, sipas tij, kishin ardhur për të “shpëtuar Shqipërinë në emër të shqiptarëve”.

Në fjalën e tij, kryeministri solli në vëmendje episodin e Odiseut dhe sirenave, duke theksuar se lideri duhet të dëgjojë zërat dhe tundimet përreth, por pa humbur drejtimin e përcaktuar.

“Një qeveri nuk e dorëzon kurrë timonin te zhurma. Një udhëheqje nuk i jepet zhurmës. Sa më shumë zhurma zmadhohet, aq më shumë një grup udhëheqës forcon identitetin e vet duke bashkuar të gjithë në emër të destinacionit”, u shpreh Rama.