SPAK merr në pyetje ish-shoferin e Ballukut, dëshmi për vilën e sekuestruar në “White Rocks”

Hetimet e SPAK mbi vilën e sekuestruar në kompleksin “White Rocks” në Dhërmi kanë sjellë dëshmi të reja nga persona të afërt me ish-zv.kryeministren Belinda Balluku.

Mes personave që kanë dhënë deklarime para prokurorëve të posaçëm është edhe Albert Ushe, i cili për rreth tetë vite ka shërbyer si shofer i Ballukut dhe më pas i fëmijëve të saj.

Sipas dëshmisë së tij, me kërkesë të ish-ministres ai ka transportuar disa herë fëmijët e saj drejt një vile në kompleksin turistik në Dhërmi. Ushe ka treguar gjithashtu se në të njëjtën pronë ka shoqëruar edhe një grua me inicialet L.S., e identifikuar si pastruese e banesës ku Balluku jeton në Tiranë.

Në deklarimin e tij, ish-shoferi ka sqaruar se frekuentimi i vilës nga familjarët e Ballukut ka nisur rreth katër vite e gjysmë më parë, në një periudhë kur prona nuk kishte ende pishinë.

I pyetur mbi pronësinë e vilës, Ushe ka pohuar se nuk ka dijeni se kujt i përket zyrtarisht objekti. Megjithatë, ai ka shpjeguar se në komunikimet e përditshme i është referuar asaj si “vila e shefes”, pasi vetë Balluku i kishte kërkuar të dërgonte aty fëmijët e saj.

Në kuadër të hetimeve, SPAK ka administruar edhe të dhëna nga kompanitë celulare. Sipas informacionit të siguruar, numri telefonik i Belinda Ballukut rezulton të jetë lokalizuar në zonën që mbulohet nga antenat pranë kompleksit “White Rocks” gjatë viteve 2024, 2025 dhe 2026.

Vila me kodin F6 është vendosur nën sekuestro preventive, pasi prokurorët dyshojnë se ajo mund të jetë përfituar në mënyrë korruptive. Sipas dyshimeve të SPAK, prona lidhet me një tender të dhënë kompanisë Eurocol gjatë kohës kur Balluku drejtonte Albcontrol.

Aktualisht vila figuron në emër të ish-futbollistit të Kombëtares, Igli Tare, i cili gjithashtu po hetohet në kuadër të kësaj çështjeje. Tare ka kundërshtuar sekuestrimin në gjykatë, duke pretenduar se prona është në pronësi të tij dhe se përdorimi i saj nga Balluku ka ardhur si rezultat i marrëdhënieve miqësore mes tyre.