Rama mbledh sot Grupin Parlamentar, çështjet e rëndësishme që pritet të diskutohen

Kryeministri Edi Rama ka thirrur një mbledhje urgjente të Grupit Parlamentar, e cila do të zhvillohet sot në Pallatin e Brigadave duke filluar nga ora 10:00.

Mes socialistëve ka shumë për të diskutuar, sidomos pas rebelimeve të fundit brenda partisë.

E para ishte Elisa Spiropali, e cila jo vetëm që i doli kundër Ramës publikisht në lidhje me mbrojtjen që i bëri Belinda Ballukut nga SPAK, por arriti deri aty sa të bënte reagime të tjera edhe kur kreu i qeverisë e paralajmëroi me përjashtim.

Çështja e saj do të jetë një “patate e nxehtë” në dorën e Ramës, me këtë të fundit që mund të marrë edhe vendimin ekstrem për ta përjashtuar nga partia.

Pas Spiropalit, një tjetër që u rebelua ishte Marjana Koçeku, me deputeten e Shkodrës që vendosi vetë të dilte nga radhët e partisë për t’u pozicionuar si e pavarur, teksa socialistët vijojnë t’i kërkojnë të heqë dorë nga mandati.

Por, më e rëndësishme nga të gjitha është protesta e qytetarëve, që ka bërë jehonë në të gjithë mediat ndërkombëtare dhe ka treguar fytyrën e vërtetë të kësaj qeverie.

Në mbledhjen e sotme, pritet të ketë direktiva të tjera për deputetët dhe ministrat që të tentojnë të shuajnë revoltën popullore, pasi nuk arritën ta bëjnë dot duke shpikur ndërhyrje nga Greqia apo Irani.

Ndërkohë, nuk dihet nëse do të ketë ndryshime në qeveri, me një pjesë të mirë të ministrave që nuk e kanë bërë si duhet punën e tyre.

Sipas axhendës, fjalën hapëse mësohet se do ta ketë kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, e më pas kryetari i PS-së, Edi Rama.