Gonzato: Vettingu proces historik, të ruhen standardet e arritura

Procesi i vettingut ka qenë një proces historik”. Kështu u shpreh ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, në ceremoninë përmbyllëse të procesit të rivlerësimit kalimtar.

Gjatë fjalës së tij, Gonzato tha se arritjet duhet të jenë të qëndrueshme në kohë si dhe të mbrohen standardet e arritura.

Sipas tij, vetëm përmes reformave, Shqipëria do të afrohet me Bashkimin Europian.

“Procesi i vettingut ka qenë një proces historik. Dua të falënderoj të gjithë ata që morën pjesë në këtë vlerësim, punë e cila nuk ishte e lehtë. Kolegji luajti rol tepër të madh në pasjen e sigurisë në të gjitha fazat e vettingut. Dua të falënderoj edhe OMN-në, që luajti rol të rëndësishëm gjithashtu. Arritjet duhet të jenë të qëndrueshme në kohë. Standardet që janë vendosur duhet të mbeten ende.

Kjo do të thotë që kontrolli i pasurisë dhe verifikimi i figurës së gjyqtarëve të vijohet të shikohen me kujdes. ILD vazhdon që të hetojë sjelljet e papërshtatshme, sa herë që nuk respektohen rregullat. Edhe Shkolla e Magjistraturës ka një rol tepër të madh në kultivimin e vlerave të etikës. Këto vlera duhet të bëhen pjesë e kulturës profesionale të gjyqtarëve. Vetëm përmes reformave, Shqipëria do të afrohet me Bashkimin Europian”, përmbylli Gonzato.