Trump thotë se SHBA-të do ta bombardojnë përsëri Iranin ‘nëse nuk i pëlqen’ marrëveshja përfundimtare

Donald Trump deklaroi se memorandumi i mirëkuptimit me Iranin nuk përbën një marrëveshje përfundimtare dhe paralajmëroi se sulmet ajrore mund të rifillojnë nëse versioni final i marrëveshjes nuk përmbush pritshmëritë e tij.

“Jo, nuk është përfundimtare. Është një memorandum mirëkuptimi. Dhe nëse nuk më pëlqen, do të kthehemi sërish te sulmet kundër tyre, duke hedhur bomba mbi kokat e tyre,” tha Trump gjatë një takimi dypalësh me presidentin egjiptian, Abdel-Fattah El-Sisi.

“Nëse nuk më pëlqen, nëse ata nuk sillen siç duhet, do të rikthehemi menjëherë te bombardimet. Ata janë sjellë keq për 47 vjet,” shtoi ai.

Trump theksoi se marrëveshja përfundimtare do të garantojë që Irani të mos sigurojë kurrë armë bërthamore, duke e cilësuar këtë si një element “shumë të fortë” të marrëveshjes.

“Shumica e njerëzve duket se janë shumë të kënaqur, por ai që është vërtet i kënaqur është tregu, sepse tregjet janë rritur me mijëra pikë,” u shpreh Trump.

Ai shtoi se Ngushtica e Hormuzit do të hapet plotësisht shumë shpejt.

“Është tashmë pjesërisht e hapur. Brenda një ose dy ditësh do të hapet plotësisht,” tha ai.

Trump deklaroi gjithashtu se vetëm “njerëzit budallenj” do të dëshironin një depresion ekonomik global të shkaktuar nga një bllokadë e zgjatur e kësaj rruge strategjike detare.