Parlamenti Europian i kërkon qeverisë shqiptare të vendosë moratorium për procedurat e reja të lejeve, punimet e ndërtimit dhe ndërhyrjet zhvillimore në zonat e mbrojtura, teksa prej 18 ditësh po protestohet për ndërtimin në Zvërnec.
Sipas tekstit të miratuar, zhvillimet në Vjosë-Nartë “tregojnë pasojat praktike të këtyre ndryshimeve ligjore dhe rreziqet që rrjedhin prej tyre për zona me vlera të njohura ekologjike”.
Eurodeputetët thonë se po ndjekin protestat paqësore të zhvilluara për këtë çështje dhe u bëjnë thirrje autoriteteve shqiptare të vendosin “një moratorium të menjëhershëm për të gjitha procedurat e reja të lejeve, punimet e ndërtimit dhe ndërhyrjet zhvillimore brenda zonave të mbrojtura”.
Në rezolutë, PE kërkon nga qeveria që të shfuqizojë ndryshimet e vitit 2024 në Ligjin për Zonat e Mbrojtura.
Ndërkohë Rezoluta e Parlamentit Europian shpreh shqetësim dhe për Ligjin për Investimet Strategjike.
Sipas rezolutës, procedurat e përshpejtuara të lejeve dhe dobësimi i kontrollit mjedisor rrezikojnë të kenë pasoja negative në zonat e mbrojtura dhe territoret e tjera ekologjikisht të ndjeshme.
Çfarë thotë Amendamenti 17?
“Shpreh shqetësim serioz se zhvillimet e vazhdueshme brenda zonës së mbrojtur Vjosë-Nartë demonstrojnë pasojat praktike të këtyre ndryshimeve legjislative dhe rreziqet që vijnë si pasojë e tyre për zonat me vlerë të njohur ekologjike; ndjek nga afër protestat masive paqësore që po zhvillohen në këtë drejtim; u bën thirrje autoriteteve shqiptare që të vendosin menjëherë një moratorium për të gjitha procedurat e reja të lejeve, punimet e ndërtimit dhe ndërhyrjet zhvillimore brenda zonave të mbrojtura derisa të shfuqizohen dispozitat e papajtueshme të Ligjit të ndryshuar për Zonat e Mbrojtura, në bazë të një kërkese të hershme nga Komisioni dhe Parlamenti dhe në përputhje me standardet përmbyllëse të Kapitullit 27, dhe derisa të sigurohet përputhshmëria e plotë me standardet e BE-së për mbrojtjen e natyrës; nënvizon se çdo projekt në këtë fushë duhet t’i nënshtrohet vlerësimeve gjithëpërfshirëse të ndikimit në mjedis në përputhje të plotë me standardet e BE-së, duke përfshirë një proces transparent të pjesëmarrjes publike me komunitetet lokale, shkencëtarët dhe shoqërinë civile.”