Frikë për përplasje mes socialistëve dhe protestuesve, policia bllokon disa akse rrugore

Policia e Tiranës ka hartuar një plan masash për garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë aktiviteteve që do të zhvillohen pasditen dhe mbrëmjen e sotme në kryeqytet, me rastin e 35-vjetorit të Partisë Socialiste dhe protestës së paralajmëruar të qytetarëve në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Sipas njoftimit zyrtar, aktiviteti festiv i Partisë Socialiste do të mbahet në sheshin “Italia”, ndërsa tubimi i qytetarëve do të zhvillohet në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Për këtë arsye, nga ora 16:00 deri në përfundim të aktiviteteve, do të ketë bllokime dhe kufizime të qarkullimit në disa akse kryesore të kryeqytetit.

Policia bën me dije se nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve në rrugët:

  • “Papa Gjon Pali II”;
  • “Dervish Hima”;
  • “Faik Konica”;
  • “Lek Dukagjini”;
  • “Gjergj Filipi”;
  • “Hasim Zeneli”;
  • “Themistokli Gërmenji”;
  • “Ibrahim Rugova”, nga kryqëzimi me rrugën “Libri Universitar” deri te sheshi “Shopen”.

Gjithashtu, do të bllokohet qarkullimi i automjeteve në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, deri te sheshi “Nënë Tereza”.