Shehaj: Rama të japë dorëheqjen, po nuk u arratis do të shkojë në burg

Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj e ka quajtur aksionin e SPAK-ut kundër një grupi të strukturuar kriminal që dyshohet se pastronin paratë e trafikut të drogës në projekte gjigande ndërtimi në Shqipëri, si një goditje të fortë të sistemit korruptiv që ka kapur ekonominë dhe institucionet e këtij vendi.

Sipas Shehajt, me rritjen çdo ditë e më shumë të numrit të protestuesve në rrugët e Shqipërisë që kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit, Ramës nuk i ka mbetur tjetër alternativë.

“Edi Rama nuk i ka mirë punët. Duhet jo vetëm të japë dorëheqjen në këtë pikë siç kërkojnë të gjithë protestuesit, por është më mirë për të që të largohet fare nga Shqipëria”, shprehet Shehaj.

Në lidhje me aktivitetin që ka thirrur PS për të festuar 35-vjetorin e partisë në orarin që nis edhe protesta e 13-të qytetare, Shehaj u bën thirrje të gjithë shqiptarëve që të dalin masivisht në shesh “për t’i treguar se sa të vendosur jemi në luftën tonë kundër kësaj qeverie të korruptuar”.

“E vërteta është që sot është një mundësi shumë e mirë për të gjithë ne t’u tregojmë vendin.
T’i tregojmë PS, t’i tregojmë Edi Ramës, t’i tregojmë kësaj qeverie të korruptuar që shqiptarëve u ka ardhur në majë të hundës, që të gjithë ne nuk largohemi nga bulevardi pa ikur Edi Rama
O ne, o ai!
Prandaj u bëj thirrje që të gjithëve: Sot në orën 18.00 është një ditë vendimtare.
Duhet të jemi aty, të tregojmë se sa të vendosur jemi në luftën tonë kundër kësaj qeverie të korruptuar”, thekson Shehaj.

Deklarata e plotë e Shehajt

Po dalin në sipërfaqe zullumet e kësaj qeverie dhe të këtij kryeministri!
Sot SPAK-u i ka dhënë një goditje shumë të fortë të gjithë sistemit korruptiv dhe kriminal që ka kapur ekonominë dhe institucionet e këtij vendi.
Edi Rama nuk i ka mirë punët. Duhet jo vetëm të japë dorëheqjen në këtë pikë siç kërkojnë të gjithë protestuesit, por është më mirë për të që të largohet fare nga Shqipëria.
Sepse vendi i tij është në burg dhe shumë shpejt kjo ka për të ndodhur.
Sot, pa asnjë siklet PS ka vendosur të festojë. Bëjnë sikur nuk shohin çfarë po ndodh.
Bëjnë sikur nuk shohin hetimet e SPAK-ut.
Bëjnë sikur nuk shohin faktin që SPAK-u ka kërkuar arrestimin e Belinda Ballukut dhe kërkesa është në Parlament dhe duhet të votohet prapë heqja e imunitetit.
Bëjnë sikur nuk shohin me mijëra qytetare, me dhjetra mijëra qytetarë që dalin çdo ditë dhe çdo natë prej 12 ditësh, sot është dita e 13-të dhe kërkojnë largimin e tij dhe vendosjen e Edi Ramës përpara drejtësisë.
Ata sot kanë organizuar një festë, kanë organizuar festën e 35-vjetorit të PD, nuk kuptoj se çfarë kanë për të festuar, do festojnë për Belinda Ballukun, për Erion Veliajn, për Beqajn apo për ish ministrat e tjerë që janë në arrati?
E vërteta është që sot është një mundësi shumë e mirë për të gjithë ne t’u tregojmë vendin.
T’i tregojmë PS, t’i tregojmë Edi Ramës, t’i tregojmë kësaj qeverie të korruptuar që shqiptarëve u ka ardhur në majë të hundës, që të gjithë ne nuk largohemi nga bulevardi pa ikur Edi Rama
O ne, o ai!
Prandaj u bëj thirrje që të gjithëve: Sot në orën 18.00 është një ditë vendimtare.
Duhet të jemi aty, të tregojmë se sa të vendosur jemi në luftën tonë kundër kësaj qeverie të korruptuar.