Kryeministri Edi Rama ka folur sot për investimin në Zvërnec dhe nëse hetimet e SPAK ndaj Artur Shehut, një prej pronarëve që zotëron pjesën më të madhe të tokës do të ndikon në projekt.
Në një intervistë për Shqipëria Live, Rama the se hetimet e SPAK nuk e cënojnë projektin, ndërsa shtoi se toka në Zvërnec është tashmë në pronësi të investitorëve që e kanë blerë.
Megjithatë intervista u shoqërua me momente tensioni mes kreut të qeverisë dhe moderatores, Sidorela Gjoni.
Kjo e fundit ka cituar Ivanka Trump për mënyrën se si e gjeti Sazanin dhe se si vendosi të investojë në atë që e quan “ishull privat”.
Pjesë nga intervista:
Sidorela Gjoni: Një video që u bë shumë virale që nga momenti që nisi historia e Zvërnecit ka qenë një intervistë e Ivanka Trump, e cila shpjegon si ka njohur Zvërnecin duke notuar aty pranë dhe të tjera me radhë, kaq e thjeshtë ishte negociata? Thjesht e pa dhe e mori? Nuk e di si funksionon?
Rama: Unë kam një pyetje tani, po talleni ju? Me kë po talleni, me publikun, me veten, me vendin? Me kë po talleni që thoni që sa e pa e mori, kaq e thjeshtë është? Edhe një herë zonjë, zonjë, ku e mori? Si e mori? Me kë talleni ju? Talleni me njerëzit që ju ndjekin dhe kërkojnë të informohen, se me mua nuk tallen idiotët. Me kë po talleni? Jo, ju nuk thatë këtë? Kaq e lehtë ishte? Çfarë mori? Kë mori?
Gjoni: Zvërnecin për të investuar.
Edi Rama: Ajo nuk flet për Zvërnecin, flet për Sazanin. Çfarë mori, si e mori? Ti ngre në hava një budallallëk dhe unë duhet të ta shpjegoj me seriozitet që ajo nuk e ka marrë, zonjë. Është skandaloze kjo që bëni me shqiptarët dhe me njerëzit që janë atje në protestë me qëllime të mira dhe ndjenja të lënduara nga këto lloj budalliqesh që ju i përsërisni.
Gjoni: A është budallallëk intervista e saj?
Rama: Po të kishte marrë zonja në fjalë ishullin, duhet të kishte ndodhur një proces, pasi në Shqipëri, pavarësisht si funksionon imagjinari juaj kolektiv, nuk mund të merren dhe jepen ishuj dhe prona fshehtas. Bëhen në dritën e diellit, fshehtas nuk ndodh gjë, sepse nuk ka se si të ndodhë. Dhe sot që po flasim prej dy vitesh e kusur, ne nuk kemi një konkluzion për Sazanin, pasi ne jemi duke negociuar. Por juve nuk ju intereson e vërteta, ju intereson spektakli.
Gjoni: Jo, mua më intereson e vërteta, përderisa po bëj këtë bisedë me ju dhe po ju pyes. Ju thoni flisni budalliqe, budallallëku nuk i sjell dëm shqiptarëve, unë thjesht po pyes, se zonja Trump ka thënë në intervistë dhe intervista është bërë virale.
Rama: Se çfarë po pyesni ju, unë e dëgjova me shumë vëmendje dhe ju thatë një budallallëk.
Gjoni: Budallallëk është të tallesh me hallet e qytetarëve, nuk është budallallëk pyetja ime.
Rama: Kush po tallet?
Gjoni: Unë po kërkoj një përgjigje për atë që thotë zonja.