EMRAT/ Kush janë biznesmenët që goditi SPAK në operacionin kundër trafikut të drogës dhe pastrimit të parave

Operacioni i fundit i SPAK kundër një grupi të dyshuar për trafik droge dhe pastrim parash nuk ka vënë në shënjestër vetëm persona me precedentë kriminalë, por edhe disa emra të njohur të biznesit në Shqipëri.

Mes të arrestuarve, të shpallurve në kërkim dhe personave nën masa sigurie figurojnë biznesmenë të lidhur me sektorët e ndërtimit, energjisë, turizmit dhe automjeteve luksoze.

Një nga emrat më të njohur të goditur nga operacioni është biznesmeni Orest Sota, i cili është arrestuar me urdhër të SPAK.

Sota u bë i njohur publikisht në vitin 2017, kur u ndalua nga policia teksa transportonte 863 mijë euro në automjetin e tij, një çështje që më pas u pushua. Emri i tij është përmendur gjithashtu në hetime të tjera të SPAK, përfshirë procedurat që lidhen me AKSHI-n dhe raportet me biznesmenin Ergys Agasi.

Mes personave të shpallur në kërkim është edhe biznesmeni i ndërtimit Ilir Shtufi. Ai është aksioneri kryesor i kompanisë “Nova Construction 2012”, e njohur për disa projekte të mëdha ndërtimi në kryeqytet. Shtufi është i lidhur me projektin e kullës “Mali i Tiranës”, e cila parashikohet të jetë ndër ndërtesat më të larta në vend.

Emri i tij është përmendur më herët edhe në hetime që lidhen me tenderë publikë dhe projekte infrastrukturore nën verifikim nga SPAK.

Në listën e personave në kërkim figuron edhe biznesmeni Artur Shehu.

Ai njihet si një nga pronarët më të mëdhenj të tokave në zonën e Zvërnecit, ku Jared Kushner synon të ndërtojë resortin luksoz.

Një tjetër emër i shpallur në kërkim është biznesmeni Orgec Birçaj. Në kuadër të operacionit është sekuestruar edhe biznesi i makinave luksoze me qira “Top Seven”, pranë ish-Parkut të Autobusëve në Tiranë. Edhe pse kompania rezulton në pronësi të një personi tjetër, SPAK dyshon se pronari faktik i aktivitetit është Birçaj.

Sipas hetimeve, një nga drejtuesit e dyshuar të grupit kriminal është Luçiano Koçeku.

Përveç aktivitetit të dyshuar kriminal, Koçeku rezulton i përfshirë në disa kompani që operojnë në fushën e ndërtimit dhe energjisë. Ai figuron pronar i shoqërisë “G.A.V Invest”, ndërsa zotëron aksione edhe në kompani të sektorit energjetik dhe hidroenergjetik.

SPAK dyshon se një pjesë e investimeve dhe aktiviteteve ekonomike të personave nën hetim mund të jenë përdorur për pastrimin e të ardhurave të përfituara nga aktiviteti kriminal, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të skemës së dyshuar.