Zbulohen 3 apartamente në Tiranë që përdoreshin për prostitucion, arrestohen tre shtetase të huaja

Tre apartamente që përdoreshin për prostitucion janë zbuluar nga policia e Tiranës. Këtë të fundit njoftojnë se janë arrestuar 2 shtetase kineze dhe një vietnameze.

Po ashtu janë proceduar edhe dy shtetas për veprën “Prostitucioni”.

Si rezultat i punës operative dhe asaj hetimore, me objektiv konstatimin e rasteve të vënies së ambienteve të marra me qira, në dispozicion të ushtrimit të prostitucionit, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve finalizuan operacionin e koduar “Flats”, gjatë të cilit u goditën 3 raste të tjera të kësaj veprimtarie. Për rastet u arrestuan:

-shtetaset kineze, K. Sh., 39 vjeçe dhe Ë. G., 42 vjeçe, pasi dyshohet se secila kishte marrë me qira, një apartament në Rrugën e Elbasanit, për të ushtruar prostitucion;

-shtetasja vietnameze, Th. (N. L.) V., 43 vjeçe, pasi dyshohet se kishte marrë me qira, një apartament në rrugën “Vangjush Furxhi”, për të njëjtin qëllim.

Në vijim të veprimeve në lidhje me këto raste, nisi procedimi në gjendje të lirë për 2 shtetas, për veprën penale “Prostitucioni”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.