Sali Berishës i hiqet statusi “non grata” nga SHBA

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, nuk është më i sanksionuar “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas burimeve për mediat, vendimi për heqjen e këtij statusi i është komunikuar vetë Berishës gjatë një bisede rreth 15-minutëshe nga e Ngarkuara me Punë e SHBA-së në Shqipëri, Nancy VanHorn.

Berisha dhe familja e tij u shpallën “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit në maj të vitit 2021, me vendim të Sekretarit të atëhershëm të Shtetit, Antony Blinken.

Në njoftimin zyrtar të asaj kohe, Berisha akuzohej për përfshirje në korrupsion të konsiderueshëm, përfshirë keqpërdorimin e fondeve publike dhe ndërhyrjen në procese publike, akuza të cilat sipas Uashingtonit kishin cenuar demokracinë në Shqipëri. Vendimi përfshinte edhe anëtarët e familjes së tij të ngushtë, duke ua ndaluar hyrjen në territorin amerikan.

Vetë Berisha i ka mohuar vazhdimisht akuzat, duke e cilësuar vendimin si politik dhe të pabazuar në prova.