Në seancën e sotme plenare në Kuvend, kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka hedhur akuza të forta mbi qeverinë.
Ai tha se kanë shitur Shqipërinë dhe interesin e shqiptarëve, teksa përmendi edhe protestat masive që janë zhvilluar në 11 ditët e fundit në vendin tonë.
Shehaj këshilloi Taulant Ballën që të bëjë kujdes e mos të kalojë afër koshave të plehrave, pasi qytetarët mund ta marrin dhe ta hedhin brenda.
“Zbatoni ligjet e Kushtetutën. I shihni njerëzit që kanë dalë apo jo. Ju kalojnë afër shtëpisë apo jo. Janë me dhjetëra mijëra, del Taulanti dhe i tall. Keni shitur Shqipërinë dhe interesin e shqiptarëve në 35 vite, kanë dalë në shesh shqiptarët. Kuvendi duhet të shkrihet, nuk ju duan më njerëzit duhet të vijnë t’ju marrin zvarrë.
Taulant kujdes kur kalon afër koshit të plehrave se mund të të marrin e t’ju fusin atje siç kanë bërë në vende të tjera. Do të mbahet mend si qershori i protestave. Mjaft i injoruat dhe ua nxitë jetën qytetarëve. Kur populli ngrihet duhet të shkohet në zgjedhje”, tha ai.