Kostot për kilometër bien në shumicën e kategorive të rrugëve në fillim të 2026-s

Kostoja faktike për kilometër rruge ka rezultuar më e ulët në shumicën e kategorive të programit “Ndërtim rruge” gjatë 4-mujorit të parë të vitit 2026, krahasuar me koston mesatare për njësi të gjithë vitit 2025, sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së infrastrukturës dhe Energjisë, të publikuara në Raportin e Monitorimit për 4-mujorin e parë të vitit 2026.

Rënia më e fortë e kostos për kilometër është shënuar te ndërtimi i rrugëve të tipit B me dy korsi. Kostoja zbriti nga 353,2 milionë lekë për kilometër në vitin 2025 në 39,9 milionë lekë në 4-mujorin e parë të vitit 2026. Diferenca është rreth 313,3 milionë lekë për kilometër, që përfaqëson një rënie prej 88,7%.

Por ekspertet e sektorit pohojnë se diferenca e madhe mund të lidhet me fazën ku ndodhen projektet, llojin e punimeve të regjistruara gjatë 4-mujorit dhe kohën e kryerjes së pagesave. Kostoja e raportuar në një periudhë të ndërmjetme nuk përfaqëson domosdoshmërisht koston përfundimtare të projekteve.

Për ndërtimin e rrugëve të tipit C2 me dy korsi, kostoja për kilometër ra nga 105,9 milionë lekë në vitin 2025 në 96 milionë lekë gjatë 4-mujorit të parë të vitit 2026. Rënia është rreth 9,9 milionë lekë për kilometër, ose 9,3%.

Kosto më e ulët është raportuar edhe për ndërtimin e rrugëve të tipit A me standardin e ri. Kostoja faktike ra nga 728 milionë lekë për kilometër në vitin 2025 në 579,6 milionë lekë në 4-rmujorin e parë të vitit 2026. Rënia është rreth 148,4 milionë lekë për kilometër, ose 20,4%.

Edhe në këtë kategori, diferenca mund të lidhet me fazat e punimeve të realizuara deri në fund të prillit. Punimet më të kushtueshme ose pagesat e lidhura me to mund të kryhen në pjesën tjetër të vitit, duke ndryshuar koston mesatare për kilometër, pohojnë ekspertët.

Ndryshe nga kategoritë e tjera, rritje është regjistruar te ndërtimi i rrugëve të kategorisë B. Kostoja u rrit nga 559,8 milionë lekë për kilometër në vitin 2025 në 670,8 milionë lekë në 4-mujorin e parë të vitit 2026. Rritja është rreth 111 milionë lekë për kilometër, ose 19,8%.

Megjithatë, kostoja faktike mbetet rreth 48% më e ulët se niveli prej 1,29 miliardë lekësh për kilometër i parashikuar në planin e vitit 2026. Rritja në raport me vitin e kaluar mund të lidhet me natyrën dhe kompleksitetin e punimeve të kryera në fillim të vitit, me përfshirjen e elementeve më të kushtueshme të projekteve ose me përqendrimin e pagesave në 4-mujorin e parë.

Të dhënat tregojnë kosto më të ulëta për njësi në katër nga pesë kategoritë ku krahasimi është i mundur. Megjithatë, shifrat e 4-mujorit janë paraprake dhe mund të ndryshojnë gjatë vitit, në varësi të ecurisë së punimeve dhe regjistrimit të pagesave. Monitor