Zbulohet call center mashtrues në Tiranë, 4 të arrestuar dhe 49 persona nën hetim

Një call center ku dyshohet se kryhej veprimtari e organizuar e mashtrimit kompjuterik është zbuluar nga Policia e Tiranës në bulevardin “Gjergj Fishta”.

Si rezultat i operacionit në pranga ranë E. K., 28 vjeç, A. J., 21 vjeç, E. D., 21 vjeç dhe M. M., 19 vjeç, të cilët dyshohet se administronin call center-in dhe drejtonin grupet e punonjësve.

Gjatë kontrollit në ambientet e objektit, policia gjeti në punë edhe 49 shtetas të tjerë, ndaj të cilëve ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë.

Sipas policisë, ambienti ishte përshtatur me dhjetëra poste pune, të cilat dyshohet se përdoreshin për realizimin e mashtrimeve kompjuterike ndaj qytetarëve. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 94 kompjuterë, 11 telefona celularë, 2 iPad dhe materiale të tjera.

Njoftimi i Policisë:

Zbulohet një call center në bulevardin “Gjergj Fishta”, ku kryhej mashtrim kompjuterik.

Arrestohen në flagrancë 4 organizatorë dhe drejtues të kësaj veprimtarie.

Procedohen penalisht 49 punonjës, të cilët që u kapën në flagrancë, në këtë ambient.

Sekuestrohen 107 pajisje nëpërmjet të cilave kryhej mashtrimi, si dhe materiale të tjera që do t’i shërbejnë hetimit.

Si rezultat i ndërhyrjes së menjëhershme, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative, se kati i dytë i një objekti në bulevardin “Gjergj Fishta”, ishte call center ku kryhej mashtrim kompjuterik, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike të DVP Tiranë, finalizuan në drejtimin e Prokurorisë, operacionin e koduar “Hold on”.

Në kuadër të operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit E. K., 28 vjeç, A. J., 21 vjeç, E. D., 21 vjeç dhe M. M., 19 vjeç, të cilët dyshohet se administronin këtë veprimtari dhe/ose drejtonin grupet e punonjësve.

Gjithashtu, në ambientet e objektit, u kapën në flagrancë, gjatë punës, 49 shtetas, për të cilët nisi procedimi në gjendje të lirë.

Me cilësinë e provës materiale u sekuestruan nga ambienti i përshtatur me dhjetëra poste pune, 94 kompjuterë, 11 celularë, 2 iPad dhe materiale të tjera me interes hetimor.