Zvërneci, pika që derdhi gotën! Kronologjia e 13 viteve me skandale, afera dhe korrupsion qeveritar

Edhe pse kryeministri Edi Rama po kërkon që ta adresojë protestën e qytetarëve vetëm te investimi në Zvërnec, e vërteta e protestës së mijëra qytetarëve është tjetër.

Zemërimi që po shfaqet sot në rrugë është për shumë qytetarë, produkt i një pakënaqësie të akumuluar në 13 vite të kësaj qeverie.

Që nga viti 2013, kur Partia Socialiste mori drejtimin e vendit nën udhëheqjen e Edi Ramës, Shqipëria ka kaluar përmes dhjetëra aferave, skandaleve dhe hetimeve të nivelit të lartë, që kanë sjellë arrestimin dhe dënimin e shumë zyrtarëve të lartë të qeverisë.

Sot, kur mijëra qytetarë dalin në protesta kundër projekteve në Zonat e Mbrojtura dhe kundër mënyrës së qeverisjes, shumë prej tyre nuk flasin vetëm për Sazanin apo Zvërnecin, por për shumë ngjarje që kanë shkaktuar pakënaqësi të mëdha.

Që në vitet e para të qeverisë Rama, qeverisja u shoqërua menjëherë me polemika të mëdha.

Marrëveshja me kompaninë çeke CEZ i kushtoi rëndë financave të Shqipërisë, e cila u detyrua t’i paguante dhjetëra milionë dollarë kompanisë për të mos e çuar çështjen në arbitrazh.

Vetëm pak muaj më pas, vendi u trondit nga skandali i vjedhjes së Thesarit të Bankës së Shqipërisë. Miliona euro u zhdukën nga institucioni më i rëndësishëm financiar i vendit dhe ende nuk dihet se ku përfunduan.

Në vitet 2015–2016 nisi ajo që është cilësuar si “epoka e PPP-ve”.

Check-Up, Sterilizimi, Laboratorët Mjekësorë dhe Hemodializa u paraqitën si reforma moderne që do të përmirësonin shërbimet për qytetarët.

Më pas, në vitin 2017, ishte çështja e Saimir Tahirit dhe dosja “Habilaj”, që mori vëmendjen më të madhe, pasi tregoi lidhjen e fortë të pushtetit me krimin e organizuar.

Një vit më vonë, dosjet “339” dhe “184” treguan ndikimin e grupeve kriminale në zgjedhje. Ndërkohë, po në këtë vit u zbulua edhe falsifikimi i dokumenteve për Unazën e Re, ku një kompani guackë do të përfitonte 20 milionë euro.

Fondet e rindërtimit pas tërmetit të vitit 2019 nuk dihet as sot se ku kanë shkuar, ndërsa shembja e Teatrit Kombëtar dhe tenderët sekretë gjatë pandemisë janë ende çështje nën hetim.

Nëse ekziston një çështje që tregon më shumë se çdo gjë tjetër korrupsionin gjatë viteve të fundit, ajo është dosja e inceneratorëve. Qindra miliona euro u “dogjën” për inceneratorë që nuk ekzistojnë, ndërkohë që Arben Ahmetaj është ende i arratisur, teksa ish-ministri Lefter Koka vuajti disa vite burg.

Databaza e patronazhistëve dhe publikimi i të dhënave të shqiptarëve, si rrogat apo targat, tregoi se sa pak të mbrojtur ishin qytetarët, teksa qeveria nuk mbajti kurrë përgjegjësi për këto skandale.

Skandali ndërkombëtar McGonigal e vendosi Shqipërinë në faqet e mediave botërore. Në këtë dosje është përmendur edhe kryeministri Edi Rama, ndërsa ish-agjenti i FBI-së vuan dënimin me burg. Ndërkohë, ende nuk dihet se në çfarë faze ndodhen hetimet e SPAK-ut lidhur me këtë çështje.

Më pas vjen skandali i madh i AKSH-it, ku hetimet zbuluan se si qindra miliona euro tendera merreshin nga një grup njerëzish, sot të akuzuar për grup të strukturuar kriminal, mes të cilëve edhe Ergys Agasi, i cilësuar nga Arben Ahmetaj si lidhja e Ramës me grupet kriminale.

Protestat e sotme

Protestat që po zhvillohen sot nuk mund të kuptohen vetëm përmes ngjarjeve të javës së fundit, pasi ato janë produkt i një akumulimi të gjatë pakënaqësish.

Për një pjesë të madhe të qytetarëve, historia nis me CEZ-in, kalon përmes Thesarit të Bankës së Shqipërisë, PPP-ve, dosjeve 339 dhe 184, rindërtimit, inceneratorëve, patronazhistëve, McGonigalit dhe përfundon te debatet e fundit për Zvërnecin dhe investimet strategjike në zonat e mbrojtura.

Secila prej këtyre çështjeve mund të ketë pasur peshë të ndryshme, por së bashku ato kanë krijuar një rritje të pakënaqësisë te qytetarët, me Zvërnecin që duket se ishte pika që derdhi gotën.

Prandaj, protestat e sotme përfaqësojnë shpërthimin e një pakënaqësie të mbledhur për më shumë se 13 vite, një pakënaqësi që tani po kërkon përgjigje në rrugë, pasi qytetarët nuk i gjetën ato te qeveria.

Inventar i aferave, skandaleve, hetimeve dhe koncesioneve të lidhura me qeverinë Rama (2013–2026)

2013–2014

  1. Marrëveshja me CEZ Group.
  2. Vjedhja e Thesarit të Banka e Shqipërisë.
  3. Operacionet në Lazarat dhe kultivimi i kanabisit
  4. Emërimet politike në administratën publike.
  5. Debatet mbi legalizimet dhe të drejtat e pronësisë.

2015

  • Koncesioni i Check-Up.
  1. Koncesioni i Sterilizimit.
  2. Koncesioni i Laboratorëve Mjekësorë.
  3. PPP-të në sektorin e shëndetësisë.
  4. Akuzat për zgjerimin e kultivimit të kanabisit në nivel kombëtar.

2016

  1. Koncesioni i Hemodializës.
  1. PPP-të në infrastrukturë rrugore.
  2. Tenderët me ofertues të vetëm.
  3. Debatet mbi menaxhimin e fondeve publike në shëndetësi.

2017

  1. Çështja e Saimir Tahiri.
  2. Dosja Habilaj.
  3. Akuzat për shitblerje votash në zgjedhjet parlamentare.
  4. Akuzat për lidhje të politikës me grupe kriminale.

2018

  1. Dosja 339.
  2. Dosja 184.
  3. Skandali i Unazës së Re.
  4. Falsifikimi i dokumenteve në tenderin e Unazës.
  5. Protestat studentore dhe financimi i universiteteve publike.
  6. Kontrata e rrugës Milot–Balldren.
  7. Debati për shembjen e Teatri Kombëtar.

2019

  1. Menaxhimi i fondeve të rindërtimit pas tërmetit.
  2. Tenderët dhe procedurat e rindërtimit.
  3. Kontratat emergjente pas tërmetit të 26 nëntorit.
  4. Projekti i Eko Parkut të Porto Romanos.

2020

  1. Shembja e Teatrit Kombëtar.
  2. Kontratat emergjente gjatë pandemisë COVID-19.
  3. Blerjet publike të pajisjeve dhe materialeve mjekësore gjatë pandemisë.
  4. Çështja e Inceneratorit të Elbasanit.
  5. Çështja e Inceneratorit të Fierit.
  6. Çështja e Inceneratorit të Tiranës.

2021

  1. Databaza e patronazhistëve.
  2. Publikimi i të dhënave personale të qytetarëve.
  3. Rrjedhja e të dhënave të pagave.
  4. Arrestimi i Lefter Kokws në dosjen e inceneratorëve.

2022

  1. Skandali McGonigal.
  2. Sulmi kibernetik ndaj sistemeve shtetërore.
  3. Projekti i Porti i Durrësit.
  4. Çështja Becchetti dhe arbitrazhi ndërkombëtar.
  5. Debatet mbi kompaninë ajrore Air Albania.
  6. Tuneli i Llogarasë dhe debatet mbi koston.

2023

  1. Çështja e Arben Ahmetaj dhe akuzat për inceneratorët.
  2. Statusi dhe përfitimet e Investitorëve Strategjikë.
  3. Debati mbi Amnistinë Fiskale.
  4. Kullat në Tiranë dhe burimi i kapitaleve.
  5. Kontratat shtetërore me formulën “1 euro”.

2024

  1. Vijimi i hetimeve të SPAK për inceneratorët.
  2. Marrëveshja Itali–Shqipëri për emigrantët.
  3. Hetimet e SPAK ndaj zyrtarëve të lartë socialistë.
  4. Debatet mbi legalizimin e kanabisit për përdorim mjekësor.

2025–2026

  1. Debatet mbi investimet strategjike në Ishulli i Sazanit.
  2. Projekti i portit të ri tregtar në Porto Romano.
  3. Hetime për tenderë infrastrukture dhe projekte publike.
  4. Vijimi i procedimeve në dosjen McGonigal.
  5. Vijimi i procedimeve në dosjen e inceneratorëve.
  6. Debatet mbi përfshirjen e kompanive offshore në projektin e Portit të Durrësit.
  7. Debatet mbi transparencën dhe financimin e projekteve strategjike shtetërore.