Biznesmeni Pandeli Carapuli, është marrë nën hetim nga SPAK për pastrim parash.
Carapuli u paraqit sot në SPAK i shoqëruar nga avokati Ulian Barjami dhe pasi ka lënë ambientet e Prokurorisë së Posaçme, nuk ka dhënë asnjë koment për mediat.
Sipas hetimeve të SPAK, Pandeli Carapuli është biznesmeni, i cili ka dhuruar një vilë luksoze ish-zv.kryeministres Belinda Balluku në këmbim të një tenderi, në kohën kur ajo drejtonte Albcontrol.
Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka sekuestruar vilën në Dhërmi të ish-ministres Belinda Balluku, e ndodhur në resortin turistik Ëhite Rocks.
Në njoftimin zyrtar, SPAK thotë se pasuria e sekuestruar dyshohet se lidhet me një përfitim të parregullt në këmbim të favorizimit të operatorit ekonomik Eurocol sh.p.k. në një procedurë prokurimi publik të zhvilluar nga Albcontrol sh.a., kur Balluku drejtonte këtë institucion.
Hetimet lidhen me procedurën e prokurimit për “Rikonstruksionin e godinës teknologjike të Albcontrol për përmirësimin e kushteve”, me një fond prej rreth 88.6 milionë lekësh, si dhe një shtesë kontrate prej rreth 14.1 milionë lekësh.
Sipas dosjes hetimore, “rezulton se shtetasja Belinda Balluku, për shkak të funksionit të saj publik si Drejtore e Përgjithshme e Albcontrol sh.a, në këmbim të favorizimit të shoqërisë “Eurocol” sh.p.k. në procedurën e sipërcituar, ka kërkuar dhe marrë përfitim të parregullt, i cili, referuar kontratës së porosisë, është në vlerën 145,000 (njëqind e dyzet e pesë mijë) euro, që konsiston në pasuri të paluajtshme, konkretisht vilën me nr. F6, në resortin turistik “Ëhite Rocks”, Gjilekë, Dhërmi, Bashkia Himarë, Qarku Vlorë, me zhvillues shoqërinë “Eurocol” sh.p.k”, thotë SPAK.
Për të fshehur këtë pasuri, Balluku ka përdorur ish-futbollistin Igli Tare dhe ish- vartësen e saj në Albcontrol sh.a., shtetasen J.B.