E rëndë në Tiranë! Një person i vendos thikën në qafë policit të rrugores, zbardhet emri i agresorit

Një ngjarje e rëndë është regjistruar këtë të premte në zonën e njohur si “Casa Italia”, ku një person është konfliktuar me një punonjës policie.

Burime për mediat bëjnë me dije se Dorian Kasa ka kërcënuar duke i vënë thikën në fyt një polici të Rrugores.

Ky i fundit ka thënë se nuk e njeh autorin. Sipas dëshmisë së efektivit, një person i ka shkuar nga pas dhe i ka vendosur thikën në qafë.

“Për një moment nuk e kuptoja se kush ishte ky person pasi nuk e njihja. Kur e pash që më vendosi thikën në qafë reagova menjëherë dhe e kapa me të dyja duart“,- ka thënë efektivi i policisë.

Policia ka arrestuar autorin, i cili nuk ka dhënë asnjë deklarim dhe nuk ka shpjeguar motivet e veprimit të tij.

Ndërkohë po punohet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Njoftimi i policisë:

Tentoi të godiste me mjet prerës dhe t’i merrte armën e shërbimit një punonjësi të Policisë Rrugore në krye të detyrës, neutralizohet dhe vihet në pranga menjeherë autori.

Sekuestrohet mjeti prerës (thikë).

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Personit arrestuan në flagrancë, për veprat penale “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”, mbetur në tentativë, dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, shtetasin D. K., 38 vjeç.

Më datë 05.06.2026, rreth orës 08:20, në afërsi të kthesës së Kamzës, 38-vjeçari në mënyrë të menjëhershme i ka vënë në fyt, mjetin prerës (thikë) që kishte me vete, një punonjësi të Policisë që ishte në krye të detyrës, duke menaxhuar trafikun rrugor.

Gjithashtu, 38-vjeçari ka tentuar t’i marrë efektivit, armën e shërbimit, por është neutralizuar dhe vënë menjëherë në pranga nga shërbimet e Policisë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.