Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sot një takim me banorët e Zvërnecit lidhur me projektin e resortit turistik, që ka nxitur protesta të shumta në Tiranë dhe disa rrethe.
Gjatë takimit, kreu i qeverisë debatoi me një nga pronarët pretendent të tokës ku do ndërtohet resorti. Qytetari u ndal te disa deklarata të bëra nga Rama lidhur me pronën në fjalë, duke theksuar se çështja e tyre vijon të jetë në gjykim. “S’kemi patur zë dhe u ndjeva vërtet i atakuar dhe i prekur nga deklarata juaj“- tha ai mes te tjerash.
Ndërkohë Rama deklaroi se ndërtimi në këtë zonë ka ardhur pas një marrëveshje mes investitorëve dhe privatëve.
“Unë e kam thënë shumë qartë që në atë kohë që Sazani është një çështje e qeverisë shqiptare, sa i takon marrëveshjes, ndërsa pjesa përballë Sazanit është çështje pronarësh pronarëve“- tha Rama.
Banori: Jam një nga pjesëtarët, pretenduesit e pronës ku është vënë gardhi. Është folur shumë, përveçse ne. Kam një vërejtje personale për ju, çështja jonë është akoma duke u gjykuar unë nesër jam ende në gjyq., për kthimin para një jave të pronës. Ju thatë që ajo tokë është e trashëguar dem baba dem. Fakti që mua më kanë sorollatur për 35 vjet tregon diçka. Ne nuk kemi folur nuk ka pyetur askush. S’kemi patur zë dhe u ndjeva vërtet i atakuar dhe i prekur nga deklarata juaj.
Kryeministri Edi Rama: Unë jam shumë i kujdesshëm me fjalën dhe kam thënë që toka është kthyer dem baba dem. Nuk është kthyer në këtë periudhë të kësaj qeverie. Pronat e kthyera janë prona që janë të trashëguara. Pastaj a ka kthime të gabuara apo të padrejta, ka plot, por këtë nuk e vendos unë, qeveria apo hipoteka. Këtë e vendos vetëm gjykata. Më vjen keq që je ndjerë i lënduar, por nuk më ke kuptuar ashtu siç duhet. Unë nuk kam takuar asnjë nga pronarët. Nuk ia kam idenë fare, se për çfarë marrëveshje kanë bërë investitorët me pronarët, është një çështje private. Unë e kam thënë shumë qartë që në atë kohë që Sazani është një çështje e qeverisë shqiptare, sa i takon marrëveshjes, ndërsa pjesa përballë Sazanit është çështje pronarësh pronarëve. Shqipëria shitet apo nuk shitet kur vjen puna te prona private, është diçka tjetër.