Shehaj: Balla merret me pronat e mia, ndërsa jeton në një nga kullat më të shtrenjta të Tiranës

Kreu i Partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, ka ashpërsuar kritikat ndaj kryeministrit Edi Rama dhe drejtuesve të Partisë Socialiste gjatë një interviste në News24.

Shehaj u shpreh se, sipas tij, Edi Rama do të hyjë në histori si kryeministri që ka drejtuar tre qeveri të korruptuara, ndërsa shtoi se fokusi i opozitës duhet të jetë e ardhmja e vendit.

Gjatë intervistës, ai iu përgjigj edhe deklaratave të kreut të Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, lidhur me pronat e tij, duke e akuzuar se nuk ka autoritet moral për të ngritur akuza të tilla.

“Taulant Balla merret me pronat e mia. Nuk e di ai që Rama ka një vilë prej mijëra metër katrorë, katër godina dhe ka deklaruar se vlejnë 400 mijë euro. Nuk i di Taulant Balla. Nuk e di çfarë punë i hap Edi Ramës. Nuk e dinë të gjithë që Taulant Balla ka deklaruar një apartament me vlerë qesharake ndërsa jeton te Ambasador 3, në një nga kullat më të shtrenjta të Tiranës. E dinë të gjithë. Por ne duhet të merremi për të ardhmen. Balla dhe Edi Rama i përkasin të kaluarës. Këta shkojnë të gjithë përditë përballë SPAK dhe janë të terrorizuar nga SPAK dhe mua më vërsulin Ulsi Manjën. Taulant Balla mbahet mend si një njeri që është aq i korruptuar, aq i përfolur sa njerëzit përdorin emrin e Taulant Ballës për të kërkuar para. Para disa vitesh është dënuar dikush sepse i dërgoi një sms një biznesmeni dhe i tha jam Taulant Balla më duhen 100 mijë euro. Është hetuar e dënuar”, tha ai.