Ndërtimi në Zvërnec/ Mijëra qytetarë mblidhen drejt Kryeministrisë, çajnë kordonin e Policisë: Turp! Hapni rrugën

Është tensionuar protesta e qytetarëve kundër projektit në Zvërnec. Protestuesit kanë thyer kordonin policor dhe gardhin metalik të vendosur në bulevard, që sipas kryepolicit Skënder Hita, është vendosur për arsye sigurie për shkak të ndeshjes miqësore Shqipëri-Izrael.

Me thirrjet “hape rrugën”, protestuesit i kërkojnë Policisë që të heqin kordonin për të vijuar tubimin e tyre, që në tre ditët e kaluara ka qenë paqësore.

“Turp, turp” janë thirrjet drejtuar Policisë ndërsa protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Në tentativë për ti ndaluar, Policia u kundërpërgjigj me ujë.

Ashtu si ditët e kaluara, pjesëmarrja është shumë e madhe. Janë me mijëra protestues që janë mbledhur në shesh, duke kundërshtuar ndërtimin në Zvërnec.

Ndërkohë pas disa minutash, Policia e Shtetit u dorëzua para protestuesve duke i lënë këta të fundit për të vijuar tubimin e tyre para Kryeministrisë.