Një ngjarje e rëndë është regjistruar pasditen e kësaj të mërkure në Lezhë ku dy të rinj janë mbytur në det në vendin e quajtur Rana e Hedhun.
Ndërkohë raportohet se tre të tjerë ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore. Burime për mediat thonë se të rinjtë janë nga Kosova.
Sipas informacioneve paraprake, raportohet se të rinjtë i mori dallga.
Në vendngjarje ndodhen shërbimet e emergjencës dhe forcat e policisë, që po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave.
Shëngjin, Lezhë/Informacion paraprak
Rreth orës 16:30, shërbimet e Policisë kanë marrë njoftim se në zonën e Ranës së Hedhun, në Shëngjin, disa shtetas që ishin futur në det për t’u larë, si pasojë e dallgëve të shkaktuara nga era e fortë, ndodheshin në vështirësi dhe rrezikonin të mbyteshin.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në adresën e dhënë kanë shkuar shërbimet e Policisë Kufitare, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, si dhe ato të emergjencës.
Falë reagimit të menjëhershëm të qytetarëve me Jet Ski, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë, u bë e mundur nxjerrja nga deti e 5 shtetasve nga Kosova, të cilët u transportuan me urgjencë në Spitalin Rajonal Lezhë për marrjen e ndihmës mjekësore.
Sipas informacionit paraprak nga Urgjenca e Spitalit Rajonal Lezhë, 2 prej shtetasve kanë humbur jetën, ndërsa 3 shtetasit e tjerë po marrin ndihmë mjekësore.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.