Trafik armësh drejt Anglisë, GJKKO jep dënimin për Adulla Hoxhajn dhe dy anëtarët e grupit

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka dhënë sot vendimin për anëtarët e një grupi të strukturuar kriminal të akuzuar për trafikim të armëve dhe municioneve.

Sipas vendimit të shpallur këtë të mërkurë, Adulla Hoxhaj, Admir Tutaj dhe Bojken Turtulli u shpallën fajtorë për trafikim armësh dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, ndërsa Rifat Avdiaj u shpall i pafajshëm për të gjitha akuzat.

Adulla Hoxhaj u dënua fillimisht me 13 vite burg për disa vepra penale. Pas bashkimit të dënimeve dhe përfitimit nga gjykimi i shkurtuar, ai u dënua përfundimisht me 8 vite e 8 muaj burgim.

Ndërkohë, Admir Tutaj dhe Bojken Turtulli u dënuan secili me nga 8 vite burg, pas përfitimit të uljes së dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Ndërkohë, gjykata shpalli të pafajshëm Rifat Avdiaj për të gjitha akuzat, duke arsyetuar se nuk provohej që ai kishte kryer veprat penale për të cilat akuzohej. Për këtë arsye u urdhërua heqja e masës së sigurisë “arrest në burg” dhe lirimi i tij i menjëhershëm, nëse nuk mbahet për ndonjë shkak tjetër ligjor.