Partia Demokratike zhvillon sot në orën 10:00 punimet e Kuvendit Kombëtar në Pallatin e Kongreseve, ku në fokus do të jenë ndryshimet në statut dhe zgjedhja e strukturave të reja drejtuese.
Në hapje të mbledhjes, delegatët pritet të miratojnë Komisionin e Drejtimit të Punimeve dhe Sekretariatin Teknik, çfarë do t’i hapë rrugë nisjes zyrtare të Kuvendit. Sipas rendit të ditës, fjalën përshëndetëse do ta mbajë kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha.
Një nga momentet kryesore të Kuvendit do të jetë prezantimi i tetë propozimeve për ndryshime statutore nga kreu i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi. Ndryshimet synojnë riorganizimin e disa proceseve të brendshme të partisë, përfshirë mënyrën e përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë dhe kryetarë bashkish.
Drafti i ri parashikon ngritjen e një komisioni të posaçëm që do të filtrojë kandidaturat e propozuara përpara se ato t’i nënshtrohen votës së anëtarësisë. Gjithashtu, statuti i ri vendos si detyrim dixhitalizimin e regjistrit të anëtarëve dhe përditësimin e tij çdo dy vjet.
Ndërkohë, “neni Basha” dhe Primaret, dy nga pikat më të diskutueshme të statutit, duket se nuk do të preken, edhe pse nuk zbatohen.
“Neni Basha” thotë se kryetari i partisë duhet të dorëhiqet dhe të mos kandidojë sërish pas humbjes së zgjedhjeve, por PD justifikohet me vjedhjen e votave dhe ky nen nuk është zbatuar kurrë.
Përsa u përket Primareve, do të mbeten sërish në fuqi, edhe pse në listat e kandidatëve për deputetë të vitit të kaluar nuk u futën demokratët më të votuar, por ata që ishin më afër kryetarit.
Gjatë zhvillimit të Kuvendit do të votohet edhe për përbërjen e re të Këshillit Kombëtar, me 200 anëtarë të rinj që do të zgjidhen përmes një procesi votimi të organizuar në ambientet e Pallatit të Kongreseve.
Pas përfundimit të këtij procesi, Këshilli Kombëtar do të ketë si detyrë shqyrtimin dhe votimin e propozimeve të kryetarit Sali Berisha për ekipin e ri drejtues të partisë.
Kuvendi mblidhet vetëm një javë pasi Sali Berisha u rizgjodh në krye të Partisë Demokratike. Në zgjedhjet e brendshme, ku ai ishte kandidati i vetëm, Berisha siguroi mbi 37 mijë vota