Një dron rus goditi një pallat banimi në Rumani, duke shkaktuar zjarr dhe plagosjen e dy personave, në një incident që ka nxitur reagime të forta nga NATO dhe Bashkimi Europian.
Ngjarja ndodhi të premten në qytetin lindor Galati, pranë kufirit të Rumanisë me Ukrainën dhe Moldavinë.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, deklaroi se “lufta agresive e Rusisë ka kaluar një tjetër vijë të kuqe”, ndërsa NATO dënoi atë që e quajti “papërgjegjshmëri të Rusisë”.
Edhe më parë dronë rusë kanë hyrë në hapësirën ajrore rumune gjatë luftës në Ukrainë, por kjo është hera e parë që qytetarë të një vendi anëtar të NATO-s mbeten të plagosur. Deri tani, Moska nuk ka reaguar për incidentin.
Autoriteti rumun për situatat emergjente bëri të ditur se ngarkesa shpërthyese e dronit detonoi plotësisht, duke shkaktuar zjarr në katin e 10-të të pallatit.
Dy persona morën trajtim mjekësor për plagë të lehta, ndërsa rreth 70 banorë u evakuuan deri në neutralizimin e flakëve.
Presidenti i Rumanisë, Nicușor Dan, ka thirrur një mbledhje emergjente të Këshillit Suprem të Mbrojtjes, duke e cilësuar sulmin “incidentin më serioz që ka prekur territorin rumun që nga nisja e luftës së Rusisë kundër Ukrainës”.
Ministria rumune e Mbrojtjes njoftoi se dy avionë luftarakë F-16 u ngritën menjëherë pasi dronët u identifikuan nga radarët.
Gjenerali Gheorghe Maxim deklaroi se ushtria rumune kishte vetëm katër minuta kohë nga momenti i identifikimit të dronit deri në përplasjen e tij.
Sipas tij, forcat rumune janë të kufizuara në veprim, pasi nuk mund të qëllojnë në hapësirën ajrore ukrainase.
“Ukraina është në luftë, por Rumania është në paqe. Ne nuk mund të lëshojmë predha në hapësirën ajrore të Ukrainës”, u shpreh ai.
Ministria e Jashtme e Rumanisë e cilësoi incidentin si “një përshkallëzim serioz dhe të papërgjegjshëm nga ana e Federatës Ruse”, duke shtuar se Bukureshti ka informuar Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s dhe ka kërkuar përshpejtimin e transferimit të sistemeve kundër dronëve në Rumani.
Lumi Danub, që ndan kufirin mes Rumanisë dhe Ukrainës, ndodhet pranë zonës së incidentit. Portet ukrainase në këtë rajon janë objektiv i shpeshtë i sulmeve ajrore ruse.
Në një incident të ngjashëm në prill, një tjetër dron rus shkaktoi dëme materiale në Galati, por pa viktima.
Sipas Ministrisë rumune të Mbrojtjes, që nga nisja e luftës në Ukrainë janë gjetur fragmente dronësh në territorin rumun në 47 raste të ndryshme, 12 prej tyre vetëm gjatë këtij viti.
Ndërkohë, alarm ajror u shpall gjatë natës në të gjithë Ukrainën. Autoritetet në jug të vendit thanë se porti i Izmailit, në rajonin e Odesës, u sulmua me dronë në orët e para të së premtes.
Nga ana tjetër, në rajonin lindor të Donetskut, të kontrolluar nga Rusia, tre punonjës të shërbimeve publike u vranë në një sulm me dron ukrainas, sipas autoriteteve të instaluara nga Kremlini.