Irani dhe Shtetet e Bashkuara kanë bërë hapa përpara drejt nënshkrimit të një memorandumi mirëkuptimi me 14 pika, që synon uljen e tensioneve në Lindjen e Mesme, pavarësisht sulmeve të reja amerikane pranë Ngushticës së Hormuzit që kanë rritur shqetësimet për armëpushimin e brishtë.
Dokumenti, i cili parashikohet të ketë një afat 60-ditor me mundësi zgjatjeje, nuk është një traktat paqeje, por një marrëveshje që do të shtynte rifillimin e armiqësive dhe do të përfshinte gjithashtu edhe Libanin. Sipas mediave pan-arabe, marrëveshja mund të quhet “Deklarata e Islamabadit”, në shenjë të rolit ndërmjetësues të Pakistanit.
Sipas raportimeve, vendet evropiane po përgatiten gjithashtu të marrin pjesë në deminimin e Ngushticës së Hormuzit, përmes së cilës kalon rreth 20% e naftës dhe gazit botëror.
Sipas draftit, Irani do të angazhohej për rihapjen e Hormuzit pa vendosje tarifash dhe për heqjen e minave detare të vendosura në zonë. Hapja do të ishte graduale dhe do të shoqërohej me heqjen e bllokadës amerikane ndaj porteve iraniane, e vendosur që nga 13 prilli.
Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) deklaroi më 23 maj se forcat amerikane kanë devijuar mbi 100 anije tregtare dhe kanë neutralizuar katër të tjera që nga fillimi i bllokadës. Në këmbim, SHBA do të ofronte lehtësime për Iranin në eksportin e naftës.
Teherani kërkon heqjen e plotë të sanksioneve dhe zhbllokimin e fondeve të ngrira jashtë vendit, ndërsa administrata amerikane i lidh këto kërkesa me një marrëveshje më të gjerë bërthamore.
Rreth 30 ditë pas hyrjes në fuqi të MOU-së, pritet të nisin negociatat për programin bërthamor dhe raketor të Iranit, si dhe për çështjen e uraniumit të pasuruar.
Dokumenti përfshin zotimin e Iranit për të mos zhvilluar armë bërthamore dhe për të diskutuar pezullimin e pasurimit të uraniumit, si dhe eliminimin e rezervave të tij, të vlerësuara në rreth 440 kg.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi gjatë një vizite në Indi se marrëveshja është ende “në proces”, duke shtuar se SHBA do të pranojë ose një marrëveshje të mirë, ose do të ndjekë një qasje tjetër.
Sulmet rrisin tensionet
Procesi diplomatik është ndikuar nga përshkallëzimi ushtarak. Më 26 maj, CENTCOM njoftoi se forcat amerikane kryen sulme “në vetëmbrojtje” ndaj objektivave iraniane, pas 24 orësh aktiviteti me raketa, dronë dhe anije të vogla nga Garda Revolucionare pranë Hormuzit.
Ministria e Jashtme e Iranit e cilësoi këtë veprim si shkelje të armëpushimit dhe paralajmëroi hakmarrje. Pavarësisht tensioneve, një delegacion iranian zhvilloi bisedime në Doha me ndërmjetësimin e Katarit, me pjesëmarrje edhe të përfaqësuesve amerikanë në distancë.
Vendet evropiane, të prekura ndjeshëm nga mbyllja e Hormuzit, po përgatiten të marrin pjesë në operacionet e deminimit. Ngushtica, e mbyllur që nga 28 shkurti, ka ndikuar ndjeshëm në tregjet energjetike europiane, duke rritur çmimet e gazit dhe duke shkaktuar probleme në transport.
Britania ka vënë në gatishmëri anijen RFA Lyme Bay, ndërsa Franca, Italia dhe Gjermania po shqyrtojnë kontribute detare.
Presidenti amerikan Donald Trump ka zbutur pritshmëritë për një marrëveshje të shpejtë, duke thënë se bisedimet po ecin “në mënyrë të rregullt”, por pa nxitim.
Nga ana tjetër, Irani ka kundërshtuar interpretimin amerikan, duke theksuar se çdo marrëveshje për Hormuzin duhet të përfshijë vetëm Iranin, Omanin dhe shtetet fqinje të ngushticës, duke kundërshtuar përfshirjen e SHBA-së.
Teherani ka ngritur gjithashtu një autoritet të ri për ngushticën dhe ka publikuar një hartë të zonës detare të kontrolluar. Pavarësisht tensioneve, autoritetet iraniane thonë se disa anije tregtare janë lejuar të kalojnë në koordinim me marinën iraniane.
Mospajtimet mes palëve tregojnë se negociatat mbeten delikate, ndërsa të dyja palët kërkojnë të shmangin përshkallëzimin e mëtejshëm në një krizë që po ndikon ndjeshëm në gjeopolitikën e Lindjes së Mesme dhe sigurinë energjetike globale.